Sondazh

Dhuna e opozitës përballë integrimit europian, si duhet të reagoje qeveria?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

“Me dialog bëmë paktin me studentët në 2018”/ Rama: 100 milionë euro të tjera për konviktet! Nëse doni rishikim apo dialog, bujrum unë jam në dispozicion

schedule13:53 - 28 Tetor, 2026

schedule 13:53 - 28 Tetor, 2026

Kryeministri Edi Rama ka përsëritur ftesën për dialog me studentët, duke kujtuar Paktin për Universitetin të vitit 2018.

Në një komunikim për mediat, Rama u shpreh se është i gatshëm të diskutojë për rishikimin e paktit, ndërsa kritikoi studentët protestues, duke thënë se në fjalimet e tyre nuk ka dalluar një vizion apo ide konkrete.

Kreu i qeverisë renditi disa prej mbështetjeve financiare që, sipas tij, përfitojnë studentët, duke theksuar se 60% e tyre marrin mbështetje nga shteti.



“ I mësova përmendësh edhe fjalimet e tyre, po vizion, ide, kritika sfiduese nuk shquajta dot në atë kakofoni mllefi dhe folklorizmash nacionalistë, që mos o Zot i kanë rrotulluar në varr profetët e kombit shqiptar.

Në ndërkohë, për të gjithë ju që nuk keni nga ta dini se çfarë përfitimesh ju vijnë pikërisht nga ai Pakti për Universitetin, po edhe për të tjerët që mund të bien pre e agjitatorëve simpatikë të instagramit e të tik-tokut, të cilët dinë të përqeshin me një talent të pamohueshëm po nuk kanë kohë t’i hyjnë llogarive, shifrave e fakteve, po ju rreshtoj:

-60%, ose 6 në 10 studentë, sot falë atij pakti përfitojnë të paktën një formë mbështetjeje të drejtpërdrejtë nga shteti.

-4118  studentë marrin bursë për rezultate të larta në studime;

-4648 studentë të tjerë marrin bursë si fëmijë familjesh në nevojë;

-434 studentë të shkëlqyer marrin bursë sa një pagë minimale çdo muaj;

-10152 janë të përjashtuar plotësisht nga tarifa e Universitetit;

-27050 të tjerëve ua paguan qeveria 50% të tarifës së studimit.

Të gjitha këto thonë që treçerekun e financimit të universiteteve publike e bën qeveria. Për shembull në Universitetin e Mjekësisë, Tiranë, nga ku një grup studentësh lënë mësimin prej dy javësh dhe bllokojnë ‘’rrugën e Durrësit’’, duke lënë pa punë të tjerët aty e duke penguar lëvizjen e shumë të tjerëve në qytet, tarifa për studimet përfaqëson më pak se 20% të kostos për student, ndërkohë që kjo qeveri, përsëri falë Paktit për Universitetin, i mbulon më shumë se 80% të kostos së studimit studentëve të mjekësisë, pa llogaritur këtu studentët që përfitojnë nga përjashtimet ose përgjysmimi i tarifës.

Një kujtesë të vogël: Qeveria i nxjerr këto lekë nga kontributet e pikërisht atyre bizneseve në ‘’rrugën e Durrësit’’ që rrinë mbyllur nga terrori i gurëve, atyre të tjerëve që qarkullojnë mallrat e shërbimet në rrugën e bllokuar të Durrësit dhe të gjithë atyre qytetarëve e bizneseve të Tiranës e të Shqipërisë, që në këto javë dhune e anarkie, kanë humbur qetësinë dhe kanë punuar dhe kanë prodhuar më pak të ardhura.

Po ashtu në Tiranë, tarifat që paguajnë studentët për konviktet mbulojnë më pak se një të tretën e kostos vjetore, pa llogaritur këtu investimet që janë bërë dhe do të vazhdojnë të bëhen për të rritur kapacitetet dhe cilësinë e konvikteve – dhe meqë ra fjala janë tani në dispozicion të negociuara dhe të miratuara prej kohësh 100 milionë Euro të tjera për konviktet. Sepse Pakti i Universitetit nuk është një postim në Instagram apo në Tik-Tok, as një platformë e harruar elektorale e atyre partive që premtojnë qilima fluturues se e dinë që nuk do fluturojnë dot asnjëherë deri na maj por është marrëveshja jonë me universitetin dhe studentët e 2018-ës, falë të cilëve po përfitoni edhe ju sot.

Ndërkohë që, nëse doni ta rishikojmë Paktin e të lini gjurmën tuaj edhe për studentët pas jush, bujrum, me dialog, me njerëzillëk dhe durim. Unë jam gjithnjë në dispozicion në vendin dhe në kohën që mund ta zgjidhni vet”, tha ai.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!