Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi se Kuvendi nuk do të humbasë asnjë seancë plenare për votimin e ligjeve që lidhen me integrimin europian të Shqipërisë.
Ai theksoi se mazhoranca synon të përmbyllë proceset e negociatave me Bashkimin Europian, duke iu referuar edhe mandatit katërvjeçar të qeverisë. Sa i përket çështjeve të sigurisë, ai mbrojti rolin e Policisë së Shtetit, ndërsa bëri të ditur se ankesat ndaj saj po hetohen nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe institucionet e drejtësisë.
“Ky është arsyetimi dhe përgjigja për të gjithë ata që duhen ta kenë të qartë, që Kuvendi i Shqipërisë nuk do të humbë asnjë seancë tjetër me votime të tjera që lidhet me votimin për integrimin në BE. Shqiptarët kanë votuar në maj për Edi Ramën, i kanë dhënë kontratën, është 4-vjeçare. Vitin tjetër mes prillit dhe majit 2027 janë zgjedhjet lokale, kushdo që të konkurrojë le të të marrë pjesë.
Ta matin një herë sa kanë mbështetje, lëvizja studentore. Të shikojnë sa mbështeten dhe më pas te të marrin pjesë në zgjedhjet vendore 2027. Policia e Shtetit është institucioni që garanton sigurinë e çdo qytetari në republikën e Shqipërisë, e gjithë kjo prirje për të ngarkuar me përgjegjësi policinë. Policia duhet të ketë mbështetjen e të gjithë qytetarëve.
Kjo përpjekje e drejtorit të Policisë dhe ministrit të Brendshme për të tërhequr policinë, u interpretua si tërheqje për të mbrojtur institucionet. Të gjitha këto ankesa që bëni janë në hetim nga AMP, si dhe nga institucionet e drejtësisë”, tha Balla.


