Bizneset kanë kërkuar më shumë financim për të shtuar investimet. Në një raport të Bankës së Shqipërisë theksohet se kushtet e kreditimit për bizneset në Shqipëri u lehtësuan në tremujorin e tretë të vitit 2026, kryesisht për bizneset e vogla dhe të mesme. standardet e kreditimit u raportuan të pandryshuara për biznesin e madh dhe për të dyja llojet e përdorimit të kredisë: mbulimin e nevojave për likuiditet dhe financimin e investimeve.
Shkalla e miratimit të kredive për bizneset u raportua disi më e lartë në tremujorin e tretë. Faktori kryesor që ndikoi në këtë drejtim ishin pasqyrat financiare të bizneseve.
Kërkesa për kredi nga bizneset shënoi rritje në të gjitha kategoritë, si për financimin e investimeve, ashtu edhe për mbulimin e nevojave afatshkurtra për likuiditet. Bankat vlerësojnë se normat e interesit dhe përmirësimi i besimit të biznesit kanë ndikuar pozitivisht në këtë tendencë.
Ndërkohë, për individët, standardet dhe kushtet e kreditimit mbetën të pandryshuara, si për kreditë konsumatore, ashtu edhe për ato për blerjen e banesave.
Për tremujorin e fundit të vitit 2026, bankat parashikojnë të ruajnë pothuajse të pandryshuara politikat e kreditimit, si për bizneset, ashtu edhe për individët. Nga ana tjetër, kërkesa për kredi pritet të vijojë të rritet në të dyja këto segmente.


