Ekonomia shqiptare ka thithur më shumë investime.
Në pjesën e parë të vitit investimet e huaja tejkaluan nivelin prej 1 miliardë eurosh.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se kjo shifër është shumë më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në gjysmën e parë të vitit 2025, investimet e huaja ishin rreth 759 milionë euro. Nëse bëjmë një krahasim rritja rezulton me rreth 50 %, brenda një viti.
Kjo do të thotë se kompanitë dhe investitorët e huaj kanë sjellë më shumë para në ekonominë shqiptare gjatë këtij viti. Si rrjedhojë edhe qarkullimi i euros në ekonominë shqiptare rezulton në nivele më të larta gjatë këtij viti duke justifikuar edhe dobësimin e euros përballë lekut.
Rritja e investimeve të huaja shihet edhe si një tregues i rëndësishëm për ekonominë, pasi kapitali i huaj mund të sjellë projekte të reja, vende pune dhe aktivitet më të madh ekonomik.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë për bilancin e pagesave tregojnë se vetëm gjatë tremujorit të dytë, flukset e investimeve të huaja direkte arritën në 741 milionë euro, duke u rritur me 86% në raport me të njëjtin tremujor të vitit 2025.
Nga të dhënat vërehet se investimet e huaja në pasuritë e paluajtshme janë rritur ndjeshëm, duke dëshmuar zgjerimin e interesit të investitorëve të huaj në tregun shqiptar, veçanërisht në zonat me potencial të lartë turistik dhe ekonomik.
Pas pasurive të paluajtshme renditet sektori financiar, energjia si dhe komunikacioni e hidrokarburet.
/abcnews.al/

