Në ditën e pestë të protestës, bulevardi “Dëshmorët e Kombit” në Tirane u rikthye në skenë përplasjesh të ashpra mes protestuesve dhe policisë.
Ajo që nisi rreth paradites si një atmosferë e qetë, zgjati pak, pasi situata u tensionua fillimisht përpara Ministrisë së Arsimit, ku protestuesit u përballën me efektivët për rreth katër orë.
Pas disa orësh përplasjeje, protestuesit u zhvendosën drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ku sulmet ndaj policisë u intensifikuan.
Aty një grup zjarri identik me protestat e Berishës, sulmuan me breshëri molotovësh dhe fishekzjarrësh, drejt Policisë dhe institucioneve.
Hedhja e një molotovi ka marrë flakë në këmbën e një efektivi të policisë, ndërsa brenda pak çastesh flakët janë përhapur në të gjithë trupin e tij. Kolegët ndërhyjnë menjëherë në përpjekje për t’i ardhur në ndihmë dhe për të shuar flakët. Policia ka larguar me ujë me presion dhe gaz lotsjellës turmën, e cila sulmonte efektivet me gur, dhe sende te forta
Përplasjet u ashpërsuan përpara Kryeministrisë, ku shpërthimet e njëpasnjëshme dhe tymi i dendur përfshinë bulevardin.
Në mes të bulevardit, protestuesit tërhoqën zvarrë një makinë me targa franceze dhe më pas i vunë flakën. Automjeti u përfshi nga zjarri, ndërsa një re e dendur tymi të zi mbuloi zonën.
Flakët përfshinë edhe një prej autobotëve të ujit të policisë, pas hedhjes së molotovëve nga protestuesit.
Sulmet vijuan edhe në drejtim të godinës së ish-ambasadës ruse. Protestuesit hodhën gurë dhe molotovë, ndërsa muret u përfshinë nga flakët
Përplasjet e forta sollën një tjetër të lënduar në radhët e policisë. Një efektiv u pa pranë formacionit të krijuar me mburoja, duke lëvizur me vështirësi, pasi dyshohet se ishte goditur nga gurët në këmbë.


