Ushtria amerikane ka hartuar plane të reja sulmi që përfshijnë mundësinë e përdorimit të “nënës së të gjitha bombave” (MOAB) kundër infrastrukturës energjetike dhe objekteve bërthamore të Iranit, nëse presidenti Donald Trump urdhëron rifillimin e operacioneve luftarake, raportoi të mërkurën CNN, duke cituar disa zyrtarë amerikanë të njohur me planet.
Përdorimi i propozuar i bombës “GBU-43/B Massive Ordnance Air Blast” (MOAB), bombës më të madhe jobërthamore në arsenalin amerikan, do të shënonte një përshkallëzim të ndjeshëm të konfliktit me Iranin, megjithëse zyrtarët kanë vënë në dyshim nëse kjo armë mund t’i përmbushë objektivat ushtarake të Washingtonit.
Sipas CNN-it, Trump e ka udhëzuar ushtrinë të përgatisë mundësi shtesë sulmesh kundër objektivave iraniane, përfshirë infrastrukturën energjetike dhe objektet që lidhen me programin bërthamor të vendit. Planet mund të aktivizohen para ose pas zgjedhjeve të ardhshme të mesmandatit në SHBA, nëse presidenti vendos të rifillojë operacionet e mëdha luftarake.
Një burim i njohur me planifikimin ushtarak i ka thënë CNN se sulmet e propozuara mund të kryhen para tërheqjes së ushtrisë amerikane nga zona e përgjegjësisë së Komandës Qendrore të SHBA, duke i mundësuar administratës të ndërmarrë sulme të tjera përpara se të shpallë fitoren dhe të tërheqë forcat e saj.
Një burim i dytë ka thënë se planet për sulme ndaj objekteve bërthamore iraniane, përfshirë një objekt të dyshuar nëntokësor në malin Kazmë, përfshijnë shprehimisht mundësinë e përdorimit të bombës MOAB.
Trumpi ka kërcënuar vazhdimisht se do të godasë malin Kazmë, ku Washingtoni dhe Izraeli besojnë se Irani ka ruajtur komponentë të programit të tij bërthamor. Presidenti Trump ka theksuar se parandalimi i pajisjes së Teheranit me armë bërthamore mbetet një nga objektivat kryesore të fushatës amerikane.
Një zyrtar amerikan i ka thënë CNN se planifikuesit ushtarakë përgatisin rregullisht një sërë opsionesh për vendimmarrësit politikë, nga operacionet me intensitet më të ulët deri te sulmet më të fuqishme kundër objektivave të fortifikuara rëndë.
Megjithatë, efektiviteti i bombës MOAB kundër objekteve bërthamore të vendosura thellë nën tokë mbetet i pasigurt.
Bomba e drejtuar me GPS mund të shkaktojë shkatërrime në një sipërfaqe të gjerë, të barasvlershme me rreth nëntë blloqe urbane, por nuk është projektuar për të depërtuar thellë nën tokë. Burimet e cituara nga CNN kamë thënë se arma ka të ngjarë të mos arrijë të shkatërrojë objektet e mbrojtura nga shtresa të trasha graniti dhe fortifikime të tjera.
“MOAB është një armë masive e llojit që përdoret për operacione me ndikim të madh informativ, e përshtatshme për pastrimin e sipërfaqeve të mëdha, por jo për shumë gjëra të tjera”, i ka thënë CNN një burim i njohur me diskutimet për planifikimin ushtarak, duke e përshkruar atë si të papërshtatshme për depërtim në thellësi.
Nëse përdoret, bomba mund të shkaktojë shkatërrime të mëdha në pikën e goditjes, ndërsa rrezja e gjerë e shpërthimit mund të ngrejë shqetësime serioze për viktimat civile, veçanërisht nëse sulmet synojnë infrastrukturën energjetike pranë zonave të banuara ose objekteve të tjera civile.
Pavarësisht këtyre kufizimeve, zyrtarët amerikanë thuhet se kanë shqyrtuar ndikimin e mundshëm psikologjik të armës si pjesë të opsioneve më të gjera ushtarake të administratës.
Një burim i ka thënë CNN se presidenti mund të përballet me presion për të ndërmarrë veprime të mëtejshme kundër Iranit, pavarësisht pasigurisë nëse sulmet shtesë do ta detyronin Teheranin të pranonte kërkesat e Washingtonit.
Burimi ka sugjeruar se bomba MOAB mund të shërbejë si mjet për ushtrimin e presionit psikologjik, veçanërisht duke pasur parasysh kufizimet e municioneve në dispozicion kundër objektivave të vendosura thellë nën tokë.


