Një gjykatë federale në SHBA ka vendosur që administrata amerikane të lejojë sërish aksesin e gazetarëve të CNN, MS NOW dhe Politico në ambientet e Shtëpisë së Bardhë, ndërsa vijon shqyrtimi i padisë së ngritur nga tre organizatat mediatike kundër administratës së Donald Trump.
Vendimi përbën një fitore të përkohshme për mediat, të cilat pretendojnë se u përjashtuan në shenjë hakmarrjeje për raportimet e tyre dhe për shkak të qëndrimeve kritike ndaj presidentit amerikan.
Megjithate vendimi nuk u garanton gazetarëve hyrjen në të gjitha ambientet e ndjeshme, si Zyra Ovale apo avioni presidencial Air Force One. Shtëpia e Bardhë vijon t’u ndalojë gazetarëve të CNN dhe Politico pjesëmarrjen në trupat e shtypit që udhëtojnë me presidentin në avionin presidencial.
Në padinë e tyre, CNN, MS NOW dhe Politico argumentojnë se administrata ka shkelur të drejtat e tyre kushtetuese, duke i përjashtuar pa një proces të rregullt ligjor dhe për shkak të raportimeve të tyre. Sipas mediave, kjo bie ndesh me Amendamentin e Parë, që mbron lirinë e shprehjes dhe të shtypit, si dhe me Amendamentin e Pestë.
Më 18 shtator 2026, Trump njoftoi përmes rrjeteve sociale ndalimin e gazetarëve të këtyre tri mediave, duke e justifikuar vendimin me pretendime për raportime të pasakta dhe shqetësime për sigurinë kombëtare.


