Sondazh

Vendimi i Hagës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Mes luleve të Devollit, histori pune e sakrifice! Nga brezi në brez, tradita e bimëve mjekësore

schedule22:56 - 13 Tetor, 2026

schedule 22:56 - 13 Tetor, 2026

Rreth 900 metra mbi nivelin e detit, në Sul të Devollit, mëngjesi vjen i freskët dhe fshati nis të zgjohet përpara se dielli të ngrihet lart mbi fusha. Rrugët me çakull që përshkojnë parcelat marrin dalëngadalë lëvizjen e banorëve drejt arave. Këtu vera nuk ka vetëm nxehtësinë e saj. Në orët e para të ditës, një fllad i lehtë zbret mbi fusha dhe e bën më të durueshme punën që nis herët. Dielli i ngrohtë ndriçon parcelat, ndërsa aroma e bimëve përzihet me atë të tokës dhe ajrit të pastër të fshatit. Gratë janë ndër të parat që hyjnë në parcela. Me trajstat në brez, ato përkulen mbi bimë dhe mbledhin me kujdes lulet, njëra pas tjetrës.

“Toka  Jone” nuk njihet vetëm për prodhimin e perimeve dhe pemëve frutore. Vitet e fundit, gjithnjë e më shumë sipërfaqe po i kushtohen edhe kultivimit të bimëve mjekësore dhe aromatizuese, një sektor që po kthehet në burim të ardhurash për shumë familje. Jemi në Devoll të Korçës, një nga zonat me sipërfaqet më të mëdha të kultivimit të bimëve mjekësore në vend. Gjatë vitit 2025, në qarkun e Korçës janë prodhuar mbi 400 tonë bimë mjekësore. Për një pjesë të banorëve të zonës, kjo veprimtari është kthyer në një mënyrë për të siguruar të ardhurat e familjes.

Mes jetës së fshatit gjejmë edhe fermën e Ervis Sertit. Për të, këto fusha nuk janë thjesht pjesë e peizazhit të Sul Devollit, por vendi ku prej 15 vitesh ka ndërtuar punën dhe të ardhurat e familjes. 



Ervisi është kthyer këtu pasi disa vite i kaloi në emigracion. Në Selanik punoi në profesione të ndryshme, por kur vendosi të rikthehej në Shqipëri, zgjodhi të mos kërkonte një tjetër rrugë larg tokës. U kthye te puna që kishte njohur që i vogël, duke ndjekur edhe gjurmët e të atit.

“Kam qenë emigrant në Selanik. Merresha me punë të ndryshme, kamarier, ndërtim. Të merresh me bimët një zgjedhje shumë e mirë, më pëlqen ta zgjeroj këtë aktivitet. Kemi 7 hektarë bimë mjekësore të mbjella.”

Për Ervisin fillimi nuk ka qenë i lehtë, ndërsa sot numëron mbi 7 hektarë tokë me bimë mjekësore, kryesisht tërfil, shtog, caj mali dhe lule ciani. Në këtë rrugëtim ai thotë se ka pasur edhe mbështetjen e shtetit.

“Unë kultivoj tërfil, shtog, lulen e cianit. Po bëj 15 vite që merrem me këto kultura. Fillimet e mia ishin të vështira, por me sakrifica arritëm deri këtu. Na kanë mbështetur edhe ata të mëdhenjtë. Ka një përmirësim të mirë edhe për familjen, sa i takon të ardhurave.” 

Ora 5 e mëngjesit Ervisin sëbashku me punonjësit që ka punësuar për të mbledhur bimët i gjen në ara.

“Nisim që në orën 5 të mëngjesit, aktualisht kemi 20 punonjës të punësuar. Për shkak të temperaturave të larta vijmë edhe ikim në drekë. Kemi nisur në korrik dhe për pak ditë mbaron.”

Në parcelë, Ervisi nuk është vetëm. Mes rreshtave të bimëve është edhe djali i tij, Luisi, vetëm 10 vjeç. Sot ai e ka marrë me vete, siç bën shpesh, që të shohë nga afër punën që prej vitesh mban familjen dhe të mësohet me tokën, me bimët dhe me ritmin e një pune që Ervisi do të donte ta shihte një ditë edhe në duart e të birit.

“Sot në parcelë të gjejmë bashkë edhe djalin tënd, Luisin. Do të doje që këtë punë t’ia trashëgosh?”

“Po. Ndaj e marr me vete, që të mësohet dhe ta ketë qejf punën. Po s’e ke me qejf nuk ecën kjo punë. Djali duket që e do punën.”

Pranë Luisit është edhe Vera. 67 vjeçe, ajo ka rreth dhjetë vite që merret me mbledhjen e bimëve dhe mosha nuk duket se i ka marrë as ritmin, as dëshirën për të punuar. Përkulur mbi rreshtat e luleve, ajo mbledh me kujdes bimët dhe në një ditë mund të arrijë deri në 15 kilogramë.

“Kam 10 vite që merrem vetëm me mbledhjen e bimëve.”

“Dhe sa arrin të mbledhësh në një ditë?”

“Në një ditë mbledh deri në 15 kg lule, paguhem deri në 30 mijë lekë.”

Pas disa orësh pune, kur dielli është ngritur lart dhe temperatura fillon të ndihet edhe më fort mbi parcelë, vjen koha e pushimit. Trajstat me lule lihen për pak në hije dhe gratë mblidhen nën pemë, buzë arës, për të pushuar duke kthyer nga një kafe.

Këtu puna zëvendësohet për pak minuta me bisedat, të qeshurat dhe batutat mes tyre. Ata thonë se këto momente nuk vlejn për to vetëm për të shplodhur trupin, por, edhe për të qetësuar shpirtin.

“Kënaqësia që marrim me shoqet tek puna, kalojmë ditën. Punoj që të mbaj familjen, fëmijët i kam jashtë. Na ka mbajtur gjallë puna, po ndenjëm një ditë pa punë nuk rrijmë dot.

Pas çdo buzëqeshje, fshihet një jetë me mundime dhe plotë sakrifica, por, mbi të gjitha një grua që nuk është dorëzuar kurrë.

“U bëj thirrje grave të vijnë e të punojnë këtu, është një punë e thjeshtë, edhe një fëmijë e mban.”

Dita nuk mbyllet këtu, rikthehen sërish në Ara. Por, pas këtyre parcelave me lule shumëngjyrëshe, aromë mahnitëse dhe pamje piktoreske, qëndron një anë tjetër e kësaj fushe me lule.

Që të kultivosh tërfil, nuk duhen shumë kosto, thotë Ervisi. Megjithatë, për fermerin llogaria nuk nis nga prodhimi, por shumë më herët. Fara, toka, qiraja, krahu i punës dhe më pas mirëmbajtja janë vetëm disa nga shpenzimet që duhet të përballojë gjatë gjithë ciklit të prodhimit.

“Fara është kostoja e parë që e marrim nga jashtë, toka, qiraja, krahu i punëtorit. Kostot shkojnë deri në një vit diku tek 25 milionë lekë. Tërfili njëherë në 4 vite, shtogu nuk ka shumë kosto, ciani e tërfili po. 5-6 mijë lekë një kilogram tërfil.”

Tërfili, sipas Ervisit, është ndër kulturat që sjellin më shumë fitim në raport me kostot, ndërsa edhe ciani këtë vit ka dhënë një prodhim të mirë. Vetëm nga ciani, ferma ka marrë rreth dy tonë e gjysmë, ndërsa në një ditë mund të vjelë mbi dy kuintalë bimë.

Por përpara se të mendojë për fitimin, fermeri duhet të sigurojë njerëzit që do ta bëjnë të mundur vjeljen.

“Është e vështirë gjetja e punëtorëve, sepse ikin në Greqi e punojnë, moshë të re nuk kemi fare.”

Krahu i punës është një problem që përsëritet çdo sezon. Në zonë ka gjithnjë e më pak të rinj që zgjedhin të punojnë në bujqësi, ndërsa fermat varen nga punëtorët sezonalë që vijnë në periudhën e vjeljes.

Edhe moti mund të ndryshojë llogaritë e një fermeri. Shirat e shumtë, breshëri apo thatësira mund të dëmtojnë bimët, pavarësisht kujdesit dhe investimit.

“Mbjellja nis në prill dhe e mbjellim çdo vit. Vështirësitë janë gjetja e punëtorëve dhe kushtet atmosferike. Punëtorët na duhen gjatë mirëmbajtjes së bimës. E dëmtojnë shirat e shumtë, breshëri, kur është thatësirë kërkojnë ujë, por ne kemi vaditje. Këtë vit një pjesë parcele mu prish, rreth 4 dynym.”

Megjithatë, prodhimi i mirë i këtij sezoni dhe çmimet e favorshme i kanë dhënë fermerit një tjetër arsye për të parë me optimizëm përpara. Për Ervisin, një nga sfidat kryesore është të sigurojë tregun dhe të ketë mundësi të planifikojë prodhimin përmes kontratave.

Një pjesë e produkteve shitet në tregun vendas, ndërsa një pjesë tjetër merr rrugën drejt tregjeve ndërkombëtare.

“Çajin e malit vijnë edhe qytetarë ta marrin tek ne. Vitet e para ka qenë vështirë, tani bëjmë kontratat dhe është më mirë.”

Produktet e kësaj ferme shkojnë edhe në Itali, Gjermani dhe Shtetet e Bashkuara, ndërsa në total, në të gjitha kulturat, prodhimi arrin rreth 5 tonë.

Por përpara se bimët të dalin nga magazina, duhet të kalojnë edhe një tjetër proces të rëndësishëm: tharjen.

Nga ara, lulet kalojnë në magazinë, ku puna vazhdon edhe pasi vjelja ka përfunduar. Këtu çdo detaj ka rëndësi, sepse tharja përcakton një pjesë të rëndësishme të cilësisë së produktit.

Në këtë fazë ndihmon edhe Urimi, i afërm i Ervisit, i cili merret veçanërisht me procesin e tharjes. Bimët duhet të lëvizen dhe të kontrollohen vazhdimisht, në mënyrë që të thahen siç duhet.

“Bimët duhet të lëvizin që të thahen. Çdo gjë duhet bërë me kujdes që të marrësh atë që dëshiron.”

Për Ervisin, furra e tharjes është një nga sfidat kryesore të aktivitetit. Investimi në këtë fazë i jep mundësi të ruajë më mirë cilësinë dhe të përgatisë produktin për tregjet ku ai shitet.

“Furra e tharjes është sfida më kryesore, dhe të ketë treg. Furra për më shumë cilësi të bimës. Mbaj dy veta për të tharë lulet.”

Edhe këtu, puna është familjare. Nga toka te magazina, secila hallkë lidhet me tjetrën dhe prodhimi që nis në parcelë duhet të përfundojë me një produkt cilësor, gati për treg. Për Urimin, kujdesi ndaj tokës sot, përkthehet në kujdes ndaj bimës nesër.

“Tokës po i dhe ushqimin që kërkon, do të të japë. Është njësoj si fëmija që e mëson, edhe bima ashtu mësohet.”

Në fund, Ervisi nuk e sheh më këtë aktivitet si një provë të nisur pas kthimit nga emigracioni. Pas 15 vitesh, ai e quan një zgjedhje të bërë në vendin e duhur, ndërsa tetë anëtarët e familjes vazhdojnë të punojnë bashkë dhe synimi mbetet zgjerimi i aktivitetit.

“Ja ku jam, më ka sjellë të ardhura, nuk do ta ndërroja, kam bërë zgjedhjen e duhur. Ne jemi 8 anëtarë që merremi me këtë. Vazhdojmë ta shtojmë këtë aktivitet.”

Dhe ndërsa vera vazhdon të mbajë mbi fusha aromën e bimëve të sapombledhura, në Sul Devoll dita mbyllet ashtu siç nisi, mes tokës, njerëzve dhe punës. Nga Sul Devolli, Ervisi ka edhe një mesazh për të rinjtë.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!