Kryeministri Edi Rama prezantoi sot reformën “Pasqyrë”, që synon t’u mundësojë konsumatorëve të informohen mbi çmimet e produkteve ushqimore.
I ftuar në emisionin “Sheshi i Dollarit” në ABC News, eksperti i ekonomisë Ergis Sefa e vlerësoi nismën si pozitive, por të vonuar, duke theksuar se sfida kryesore mbetet zbatimi i saj.
Sipas Sefës, më shumë se gjysma e të ardhurave të shqiptarëve shkojnë për ushqime, ndërsa rreth dy të tretat shpenzohen për nevojat bazë. Ai e cilësoi situatën si emergjente, duke nënvizuar se efektiviteti i reformës do të varet nga mënyra se si do të zbatohet në praktikë.
“Është një nismë shumë pozitive, ku në qendër ka konsumatorin. Edhe pse unë mendoj që është pak e vonuar. Thembra e Akilit është se si do të zbatohet kjo nismë.
Nëse marrim ushqimet dhe faktorizojmë këstin e kredisë, më shumë se gjysmën e të ardhurave të shqiptarëve shkojnë për ushqim, 2/3 e të ardhurave shkojnë për nevojat baza, troç për mbijetesë. Prandaj dhe ka lindur nevoja për këtë nismë.
Jemi në një situatë emergjente. Është një nismë e mirë, por pikëpyetja është se sa do të zbatohet. Është një iniciativë e mirë, nëse zbatohet ashtu siç duhet”, tha Sefa.


