Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar arritjen e një armëpushimi energjetik mes Rusisë dhe Ukrainës, duke deklaruar se të dyja palët kanë rënë dakord të ndalojnë sulmet ndaj infrastrukturës energjetike.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e mirëpriti nismën, por kërkoi nga Uashingtoni sqarime për kohën e hyrjes në fuqi të marrëveshjes.
Në një postim në rrjetin social Truth Social, Trump njoftoi se armëpushimi do të hynte menjëherë në fuqi, duke paralajmëruar palët të mos e shkelnin marrëveshjen.
“Menjëherë në fuqi, ka një armëpushim energjetik në luftën midis Rusisë dhe Ukrainës. Të dyja palët ranë dakord. Mos e shkelni atë”, shkroi presidenti amerikan.
Nga ana e saj, presidenca ukrainase deklaroi se e pranonte armëpushimin dhe se priste informacion të mëtejshëm nga pala amerikane për zbatimin e tij.
“Ne e pranojmë armëpushimin energjetik dhe është kënaqësi që Moska bën të njëjtën gjë”, thuhet në deklaratën e presidencës ukrainase, e cila theksoi se po priste njoftimin zyrtar për kohën e fillimit dhe hapat e mëtejshëm.
Edhe Zelensky reagoi përmes një deklarate, duke bërë të ditur se kishte diskutuar zhvillimet me kryeministrin kanadez Mark Carney, presidentin finlandez Alexander Stubb dhe sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.
Udhëheqësi ukrainas theksoi se Kievi mbështet çdo hap që çon drejt uljes së tensioneve, mbrojtjes së jetëve njerëzore dhe arritjes së një paqeje të qëndrueshme.
Megjithatë, në një intervistë për Axios, Zelensky tha se njoftimi i Trumpit e kishte gjetur të papërgatitur.
“Njoftimi i armëpushimit ishte një lajm për mua”, u shpreh ai, duke shtuar se Ukraina ishte e gatshme ta pranonte marrëveshjen nëse ajo ishte negociuar me presidentin rus Vladimir Putin. Nëse Presidenti Trump negocioi marrëveshjen me Putinin, ju lutem na tregoni kur fillon armëpushimi. Ne jemi gati dhe do ta pranojmë atë”, deklaroi Zelensky.


