Bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Territoriale, Arbian Mazniku, ka paraqitur në Kuvend argumentet dhe qëndrimet lidhur me riorganizimin e ri territorial të vendit, që parashikon reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46.
Gjatë fjalës së tij, Mazniku iu përgjigj pyetjeve dhe shqetësimeve të ngritura nga opozita në seancën penale, duke argumentuar se ndryshimi synon rritjen e kapaciteteve të njësive vendore për ofrimin e shërbimeve dhe forcimin e mundësive për investime.
Sipas Maznikut, reforma territoriale e vitit 2014 solli rritje të fuqisë investuese të bashkive, por ai theksoi se kapacitetet aktuale të disa njësive vendore mbeten të pamjaftueshme për përmbushjen e të gjitha funksioneve që u ngarkon ligji. Ai solli në vëmendje edhe raste konkrete të bashkimit të njësive administrative, duke argumentuar se ndryshimi i kufijve administrativë nuk nënkupton humbjen e identitetit të komuniteteve.
“Është një ligj që hyn te ato ligje që i japin formë mënyrës se si jetojnë qytetarët. Ka pasur debate dhe mosdakordësi që janë krejtësisht shumë normale. Ka pasur shumë pyetje që kanë nevojë që të marrin përgjigje. Historia ka treguar që ka pasur një dilemë mes njerëzve për kufijtë në të cilët jetojnë dhe nevojës për të qenë bashkë. Gjasat janë që shumë prej tyre kanë pasur dilemë.
Njerëzit atëherë kuptuan që duke u bërë bashkë fitonin shumë më shumë, duke mos humbur dinjitetin e tyre. Shumë nga ne e kanë jetuar historinë, Voskopja ka një histori shumë të jashtëzakonshme, ka qenë komunë dhe është bashkuar me Korçën, ndërkohë që identiteti është aty, banorët janë aty dhe ka pasur shumë më shumë aktivitete dhe rritje ekonomike, Gjinari i Elbasanit po ashtu.
Në të gjitha këto raste, ne kemi një histori që na tregon të njëjtën gjë, që kur bashkohemi bëhemi më të fortë. Kemi një element shumë të rëndësishëm, u kemi thënë njerëzve që u shkri kjo bashki. Njerëzit nuk jetojnë në hartë, jetojnë në shtëpinë dhe lagjen e tyre, që duan rrugë, kanale kulluese, ndriçim dhe çdo lloj shërbimi tjetër.
Asnjë pyetje s’do mbetet pa përgjigje. Kur ne flasim për mënyrën se si organizohet territori, e rëndësishme është që të themi nëse e ka mundësinë ajo njësi administrative të ofrojë shërbimet që kërkohen. A ishte reforma e 2014-s një sukses? Po, reforma territoriale e 2014-s ishte një sukses, asnjë person, edhe demokrat, nuk tha që duam komunat.
Fuqia investuese u rrit, por kjo është e pamjaftueshme për aspiratën e Shqipërisë, ne mund të bëjmë më mirë. Ligji shqiptar parashikon 42 funksione. Por, shumë bashki nuk kanë kapacitet që të ofrojnë të gjitha shërbimet, jo për shkak të dëshirës, por nuk kanë mundësi. Sa i takon procesit”, tha Mazniku.
Pas 11 vitesh nga reforma që solli uljen drastike të bashkive dhe heqjen e komunave, PS dhe PD janë për rishikimin e njësive vendore, por ndahen për numrin e tyre. PS kërkon shkurtimin e numrit të bashkive nga 61 në 46, kurse PD kërkon shtimin e numrit të bashkive.


