Nga viti në vit, karrigia e kreut të shtetit ka ndërruar emra, por jo peshën e përgjegjësisë. Në historinë e Kosovës, shtatë persona kanë mbajtur këtë post të lartë.
Nga Ibrahim Rugova, presidenti historik i Kosovës, e deri te presidentja e shtatë, akademikja Justina Shiroka-Pula, rrugëtimi presidencial i vendit është shoqëruar me zhvillime të rëndësishme politike dhe historike.
Ibrahim Rugova ishte presidenti i parë i zgjedhur i Republikës së Kosovës. I cilësuar si presidenti historik i shtetit, ai mori detyrën në mars të vitit 2002 dhe u rizgjodh në vitin 2004, raporton Klan Kosova.
Rugova vdiq më 21 janar 2006 në Prishtinë dhe u varros në Bregun e Diellit, në një ceremoni madhështore me pjesëmarrjen e mijëra qytetarëve. Një vit pas vdekjes së tij, më 21 janar 2007, presidenti i atëhershëm Fatmir Sejdiu e dekoroi Rugovën me Urdhrin “Hero i Kosovës”, titulli më i lartë shtetëror që u jepet personaliteteve për vepra të veçanta në shërbim të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.
Fatmir Sejdiu u zgjodh president i Republikës së Kosovës më 10 shkurt 2006, me dy të tretat e votave të deputetëve të Parlamentit. Ai qëndroi në këtë detyrë deri më 27 shtator 2010, kur dha dorëheqje.
Gjatë dhe pas mandatit të tij, Sejdiu u nderua me disa çmime dhe tituj të rëndësishëm. Në qershor 2006, Universiteti Shtetëror i Tiranës i akordoi titullin Doctor Honoris Causa. Në nëntor 2008, ai u nderua nga presidenti i atëhershëm i Shqipërisë, Bamir Topi, me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, ndërsa po atë muaj mori edhe titullin “Qytetar Nderi i Shkodrës”. Në vitin 2009, Arizona State University e nderoi me çmimin “Distinguished Global Leadership”, ndërsa në prill 2011 mori edhe titullin Doctor Honoris Causa nga Universiteti Shtetëror i Sakaryas në Turqi.
Behgjet Pacolli pati një nga mandatet më të shkurtra në krye të shtetit. Ai u zgjodh president më 22 shkurt 2011, por vetëm pak javë më vonë, më 30 mars, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e shpalli jokushtetuese zgjedhjen e tij, duke i hapur rrugë përfundimit të mandatit.
Pas tij, në krye të shtetit erdhi Atifete Jahjaga, presidentja e parë grua e Republikës së Kosovës. Ajo shërbeu si kryetare e shtetit nga viti 2011 deri në vitin 2016.
Jahjaga u bë gjithashtu një nga figurat më të veçanta në historinë politike të rajonit. Në kohën e zgjedhjes, ajo ishte ndër gratë më të reja në botë që drejtonin një shtet dhe u konsiderua gruaja e parë që udhëhoqi një shtet në Ballkanin modern.
Hashim Thaçi u zgjodh president i Republikës së Kosovës më 26 shkurt 2016 në Kuvendin e Kosovës, ndërsa detyrën zyrtarisht e mori më 7 prill të po atij viti, pas betimit solemn.
Thaçi ishte një prej figurave kryesore politike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kishte udhëhequr ekipin e Kosovës në bisedimet e Rambujesë në vitin 1999. Më 17 shkurt 2008, në cilësinë e kryeministrit, ai ishte një nga figurat kryesore shtetërore në shpalljen e pavarësisë së Kosovës.
Ai dha dorëheqje nga posti i presidentit më 5 nëntor 2020, pas konfirmimit të aktakuzës ndaj tij nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Vjosa Osmani-Sadriu u zgjodh presidente e Republikës së Kosovës më 4 prill 2021. Para zgjedhjes në krye të shtetit, ajo kishte shërbyer si kryetare e Kuvendit të Kosovës dhe ishte zgjedhur deputete për pesë mandate radhazi.
Osmani hyri në histori edhe si gruaja e parë që shërbeu si kryetare e Parlamentit të Republikës së Kosovës, post që e mori më 3 shkurt 2020. Pas dorëheqjes së Hashim Thaçit, ajo shërbeu edhe si ushtruese e detyrës së presidentes nga nëntori i vitit 2020 deri në mars të vitit 2021.
Mandati i saj pesëvjeçar në krye të shtetit përfundoi më 4 prill 2026.
Disa muaj më vonë, më 7 tetor 2026, Kosova zgjodhi presidenten e saj të shtatë. Bëhet fjalë për akademiken Justina Shiroka-Pula, e cila u bë presidentja më e vjetër e zgjedhur ndonjëherë në Kosovë.
Përveç presidentëve të zgjedhur, në periudha të ndryshme detyrën e kreut të shtetit e kanë ushtruar edhe disa figura të tjera.
Jakup Krasniqi shërbeu si ushtrues detyre i presidentit nga 28 shtatori 2010 deri më 22 shkurt 2011, ndërsa Glauk Konjufca e ushtroi këtë funksion nga 22 marsi deri më 4 prill 2021.
Pas përfundimit të mandatit të Vjosa Osmanit, më 4 prill 2026, detyrën e presidentes, në përputhje me procedurat kushtetuese, e ushtroi përkohësisht Albulena Haxhiu, deri në zgjedhjen e presidentes së re, Justina Shiroka-Pula, më 7 tetor./klankosova/


