Gazetari Fatos Mahmutaj në një intervistë në “Ora e Fundit” në ABC News foli për mbledhjen e Këshillit të Sigurisë, pas arrestimit të kreut të SHISH Vlora Hyseni.
Mahmutaj tha se rasti Hyseni tregon, sipas tij, një pavarësi shumë të madhe të drejtësisë dhe mungesë ndikimi politik.
Po ashtu ai kritikoi gjithashtu mënyrën se si është trajtuar çështja në lidhje me ambientet e SHISH, duke thënë se kjo situatë po dëmton edhe vetë imazhin e drejtësisë shqiptare.
“Rasti Hyseni më duket njëlloj pavarësi totale e drejtësisë dhe një mosndikim i politikës në drejtësi. Përkundrazi mendoj që drejtësia është lënë më e lirë seç duhet. Drejtësia ka bërë njëlloj dosje shumë amatore. Kur bëhet fjalë për sheshin e SHISH dhe denigrohet vetë drejtësia në këtë formë më duket e çuditshme. Kjo pavarësi e gjyqësorit po arrin të bëjë sagma të tilla.”, tha ai.
Po ashtu Mahmutaj foli për qëndrimet e opozitës dhe veçanërisht për akuzat e Sali Berishës ndaj institucioneve të drejtësisë.
Sipas tij, Berisha e sulmon drejtësinë duke u nisur edhe nga përplasjet e tij me institucionet e drejtësisë, ndërsa gazetari argumentoi se opozita duhet të përballet gjithashtu me bilancin e periudhës kur ishte në pushtet.
Mahmutaj përmendi 21 Janarin, Gërdecin dhe çështje të tjera të së shkuarës politike shqiptare, duke pretenduar se këto raste nuk kanë marrë, sipas tij, përgjigjen e plotë që duhet të kishin dhënë institucionet.
“Berisha është përgjegjësi kryesor i 21 Janarit. E bëri lëmsh 21 Janarin, e sfumoi, e shkatërroi atë dosje, hetimin, ashtu siç deshi, me presion, me manipulime, me mashtrime, pra me të gjitha mënyrat e mundshme. 21 Janari u shkatërrua si dosje.”, tha ai.
“Berisha sulmon drejtësinë sepse ka hallet e veta”, deklaroi Mahmutaj, duke shtuar se, sipas tij, opozita përdor përplasjen me drejtësinë edhe si instrument politik.
Gazetari kritikoi gjithashtu mënyrën se si opozita, sipas tij, i trajton çështjet e drejtësisë, duke argumentuar se kërkesat për hetime dhe transparencë duhet të shoqërohen edhe me një përballje me përgjegjësitë e së shkuarës.
/abcnews.al/


