Parlamenti hungarez ka votuar heqjen e imunitetit parlamentar të kryeministrit Peter Magyar dhe dy ish-ministrave të qeverive të Viktor Orbanit, duke i hapur rrugë vijimit të hetimeve penale ndaj tyre.
Vendimi u miratua me 139 vota nga 199 deputetë, ndërsa deputetët e Fidesz-it të Viktor Orbanit dhe aleatit të tij Partia Popullore Demokristiane e Hungarisë bojkotuan votimin.
Magyar po hetohet për një incident të vitit 2024. Ai akuzohet se i ka marrë telefonin një personi që po e filmonte në një klub nate dhe më pas e ka hedhur pajisjen në lumin Danub. Vetë Magyar kishte kërkuar heqjen e imunitetit, duke e cilësuar çështjen si një “farsë”.
Në të njëjtën kohë, hetimet përfshijnë edhe dy ish-ministra të qeverive të Orbanit.
Balazs Hanko, ish-ministër i Kulturës dhe Inovacionit, po hetohet lidhur me dyshimet për keqpërdorimin e rreth 47 milionë eurove nga fondet publike. Sipas dyshimeve të hetuara, një pjesë e këtyre fondeve mund të jetë përdorur për financimin e fushatës së Fidesz-it për zgjedhjet parlamentare të vitit 2026.
Ndërsa Miklos Sesztak, ish-ministër i Zhvillimit dhe deputet i PartiSE Popullore Demokristiane e Hungarisë. dyshohet se ka marrë disa milionë euro ryshfet gjatë blerjes së autobusëve të përdorur me çmime të fryra, në periudhën 2014-2018.
Për dy ish-ministrat, këto janë ndër procedurat e para penale ndaj zyrtarëve të lartë të periudhës së qeverisjes së Viktor Orbanit lidhur me dyshime për korrupsion.
Prokuroria e Përgjithshme kishte kërkuar javën e kaluar heqjen e imunitetit të të tre deputetëve, me qëllim vijimin e procedurave hetimore.


