TIRANË- Ekspertja e ekonomisë, Romina Radonshiqi, e ftuar në emisionin “Money Report” në ABC News, analizoi sfidat me të cilat është përballur ekonomia shqiptare, ndikimin e zhvillimeve ndërkombëtare dhe perspektivën e vendit në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, një objektiv madhor i shpallur edhe nga vetë qeveria Rama.
Ajo u shpreh se sfidat kryesore për ekonominë shqiptare kanë ardhur nga faktorë të jashtëm, veçanërisht nga konfliktet dhe luftërat e zhvilluara vitet e fundit.
Sipas saj, varësia e Shqipërisë nga importet ka ndikuar në rritjen e kostos së jetesës, por megjithatë ekonomia shqiptare ka rezistuar dhe ka vijuar rritjen.
Një tjetër zhvillim i rëndësishëm, sipas saj, është rritja e investimeve të huaja, e cila lidhet edhe me rritjen e besimit të investitorëve ndaj Shqipërisë.
Ajo vlerësoi gjithashtu ndryshimin e imazhit të Shqipërisë në sytë e investitorëve, jo vetëm sa i përket klimës së të bërit biznes, por edhe në aspekte të tjera të zhvillimit të vendit.
Duke u ndalur te procesi i integrimit evropian, Radonshiqi tha se Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm në mbylljen e grup-kapitujve të negociatave me Bashkimin Evropian. Sipas saj, progresi në këtë proces krijon edhe mundësi për një përthithje më të madhe të fondeve evropiane.
“Shqipëria është përballuar më shume sfida, por këto sfida nuk kanë qenë së brendshmi, por që vinin nga jashtë, por këtu e kam fjalën nga luftërat që kanë ndodhur, sepse ne jemi ekonomi e varur nga importet dhe kjo e rrit koston e jetesës. Pavarësisht rritjes së çmimeve, në Shqipëri kemi pasur rritje ekonomie. Kemi parë dhe rritje të investimeve të huaja dhe kjo tregon se është rritur besimi për fondet e huaja.
Kjo e ka rregulluar imazhin e Shqipërisë jo vetëm të të bërit biznes, por dhe në aspekte të tjera. Shqipëria ka bërë hapa të mëdhenj sa i takon mbylljes së grup-kapitujve. Gjasat janë që ne të përthithim më shumë fonde nga Bashkimi Evropian”, tha ajo.


