Autoriteti iranian përgjegjës për menaxhimin e Ngushticës së Hormuzit ka paralajmëruar anijet se mund të përballen me pasoja nëse përdorin “rrugë të paligjshme” në këtë zonë.
Autoriteti i Ngushticës së Gjirit Persik (PGSA) tha sot se përdorimi i këtyre rrugëve, mund të shkaktojë humbje financiare dhe humbje jete për anijen, pronarin, kapitenin dhe ekuipazhin.
Gjithashtu, anijes mund t’i kufizohet mundësia për të kaluar në të ardhmen përmes Ngushticës së Hormuzit.
Autoriteti u kërkoi pronarëve të anijeve, të kontrollojnë me kujdes itineraret e tyre për të shmangur shkeljet e rregullave.
Nëse një kompani që merr me qira anijet shkel këto rregulla, edhe anijet e tjera që i përkasin asaj kompanie, mund të përballen me kufizime në kalimet e ardhshme në Hormuz.
Ndërkohë, prej disa kohësh po zhvillohen përpjekje për rihapjen e plotë të Ngushticës së Hormuzit, e cila aktualisht mbetet praktikisht e bllokuar.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, tha më herët gjatë javës se Irani i kishte dërguar SHBA-së, përmes Katarit, një plan shtatëditor për zgjidhjen e situatës.
Sipas propozimit iranian, SHBA-ja duhet të plotësojë disa kushte përpara se Irani të lejojë rihapjen e ngushticës.
Sipas “The Wall Street Journal”, ndër kërkesat ishte edhe heqja e bllokadës detare amerikane.
Presidenti amerikan, Donald Trump e hodhi poshtë propozimin iranian, duke u thënë gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se oferta ishte e papranueshme.

