Ishte premtuar se do të ishte një skuadër tjetër. Këtë e tha trajneri I Shqipërisë Rolando Maran në prag të duelit ndaj Bjellorusisë, dhe të paktën këtë herë fjala I doli.
Kombëtarja shqiptare e futbollit e nisi me fitore Ligën e Kombeve, ndërsa objektivi është për t’u ngjitur sërish në Nivelin B.
Në “Arenën Air Albania”, në prani të një numri të rëndësishëm spektatorësh, kuqezinjtë bënë detyrën duke triumfuar 2-0, e duhet thënë se e merituan.
Plot 18 150 tifozë ishin në stadium.
Kristian Asllani me penallti në 34’ dhe Ernest Muçi në minutën e dytë shtesë të pjesës së parë, ishin autorët e golave, ndërsa mund të ishin shënuar më shumë.
Kapiteni Gjimshiti mbeti si gjithmonë lider duke fituar pikërisht ai 11-metërshin në 32’. Formacioni titullar kishte kaq shumë ndryshime saqë vetëm 5 lojtarë mbijetuan nga miqësoret e qershorit.
Këta ishin Gjimshiti, Hysaj, Ramadani, Asllani dhe Hoxha.
Natyrisht, disa ishin me dëmtime, por disa u lanë jashtë nga tekniku italian, si Bajrami, Broja e Asani. Po ashtu, Mitaj u la në stol për shkak të minutazhit të paktë në Itali me Xhenoan, dhe titullar në krahun e majtë të mbrojtjes ishte Pilo që po luan rregullisht në Greqi.
Gjithsesi, Hysaj, ende pa ekip, tregoi se mund të luajë që nga minuta e parë në kombëtare.
Maran, ndryshe nga miqësoret e humbura ndaj Izraelit e Luksemburgut, u duk se e kishte gjetur formacionin e duhur, dhe madje kërkoi lojën sulmuese edhe pas pushimit, duke zëvendësuar kokë për kokë, Seferin me Uzunin, Dakun për Manajn dhe Mehmetin për Muçin.
Manaj goditi shtyllën përpara zëvendësimit dhe Muçi iu afrua golit të dytë personal.Shqipëria ishte shumë më lart, me mjaft më tepër sulme, dhe me më shumë më tepër gjuajtje, 18, ndaj 8 të miqve.
Ndeshja e radhës është të martën e ardhshme në San Marino ku gjithashtu kërkohet fitorja, e ndoshta dueli për vendin e parë në grup do të jetë pikërisht me Finlandën, sfidë që do ta kemi në Helsinki në 3 tetor, të tretën në këtë fushatë. Për momentin, të paktën kombëtarja e Rolando Maranit jep shpresë.

