Trajneri i Manchester United, Ole Gunnar Solskjaer, është në presion të madh pas humbjes ndaj Manchester City, në gjysmëfinalen e parë të Carabao Cup. City e dominoi totalisht takimin dhe fitoi lehtësisht 1-3 në “Old Trafford”.
Pas ndeshjes, Solskjaer u ballafaqua me gazetarët në konferencë për shtyp, aty ku kritikoi ashpër lojtarët e tij. “Ishte një pjesë e parë për t’u harruar”, tha fillimisht strategu norvegjez. “Që në momentin kur Bernardo (Silva) shënoi, futbollistët e mi ulën kokat.
Më pas, City shfrytëzoi çdo gabim tonin dhe ndeshja përfundoi. Ajo paraqitje në pjesën e parë ishte më e dobëta deri tani këtë sezon. Në pjesën e dytë, u zgjuam disi. Munduam të reagonim, por City mbylli çdo hapësirë.
Ndërruam dhe skemë, arritëm të shënonim një gol, por siç e thashë dhe më parë, ndeshja u mbyll që në fraksionin e parë të lojës. Kemi shumë punë për të bërë, jemi skuadër e re dhe që do të mësojmë nga kjo disfatë. Tani luajmë në Etihad dhe do të jetë një sfidë edhe më e vështirë”, tha mes të tjerash trajneri i “Djajve të Kuq”. /abcnews.al