SHISH do të ketë përkohësisht një drejtues të komanduar në detyrë. Pas shkarkimit të Vlora Hysenit, kryeministri Edi Rama ka firmosur urdhrin për t’ia deleguar kompetencat e drejtimit të SHISH, drejtorit të Departamentit Operativ, Elvis Lila.
Qëndrimi në krye të SHISH i Elvis Lilës, pritet të zgjasë vetëm disa ditë, kur pritet kthimi i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama nga SHBA.
Javën e ardhshme, kryeministri do të zhvillojë konsultime me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj për të diskutuar mbi kreun e ri të SHISH.
Emri do të propozohet nga kryeministri, ndërsa Presidenti ka dy javë kohë për ta dekretuar ose jo, pasi të ketë kryer të gjitha verifikimet për kandidatin për kryetar të ardhshëm të SHISH.
SHISH është në pritje të drejtuesit të 12-të prej vitit 1991. E fundit, Vlora Hyseni e cila mbajti postin për mbi 3 vite, u pezullua dhe u vendos në arrest shtëpie me urdhër të SPAK, ndërsa mbi të rëndojnë dy akuza, përkrahja e autorit të krimit dhe zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete. Çfarë solli dhe shkarkimin e menjëhershëm nga detyra me urdhër të kryeministrit Rama dhe dekret të Presidentit.


