Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka vendosur të organizojë protesta në të gjitha qytetet e Kosovës ku ka degë dhe struktura të saj.
Vendimi është marrë pas një takimi me kryetarët e degëve të organizatës.
Sipas OVL UÇK, protestat do të zhvillohen të premten në orën 17:00 në të gjitha qytetet, ndërsa dega e Prishtinës do ta organizojë protestën në orën 21:00.
Organizata u ka bërë thirrje institucioneve komunale dhe qytetarëve që t’u bashkohen protestave, të cilat synojnë të shprehin mbështetje për ish-krerët e UÇK-së dhe vlerat e luftës çlirimtare.
“Ftojmë institucionet komunale dhe të gjithë qytetarët e Kosovës që t’u bashkohen këtyre protestave, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së dhe vlerave të luftës sonë çlirimtare”, thuhet në vendimin e OVL UÇK-së, të transmetuar nga EO.
Organizata thekson se do të mbështesë çdo protestë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së dhe luftës çlirimtare, me kusht që ato të zhvillohen në mënyrë paqësore dhe të mos cenojnë rendin kushtetues.
Në të njëjtën kohë, OVL UÇK u ka bërë thirrje spektrit politik, shtetëror dhe kombëtar që të tregojnë unitet dhe të nisin hartimin e një strategjie kombëtare.
Sipas organizatës, kjo strategji do të synonte garantimin e mbështetjes së plotë për ish-krerët e UÇK-së deri në përfundimin e procedurave në Apel.

