Gjykata për Krimet e Rënda caktoi masën e sigurisë “arrest në burg” për Fatjon Karmeshtën, i akuzuar si ekzekutor i Suela Sulës, në Prill 2016-s në Shkodër. Sipas prokurorisë, vrasja ishte porositur nga bashkëshorti i viktimës, Sadedin Sula, për motive xhelozie, i cili po gjykohet në një proces tjetër tek Krimet e Rënda.
Ky është Fatjon Karmeshtna, 35 vjeç, baba i katër fëmijëve të mitur.
Gjykata për Krimet e Rënda caktoi për të masën e sigurisë “arrest në burg”. Ai dyshohet të jetë ekzekutori i Suela Sulës, në fshatin Melgushë të Shkodrës. Në 18 prill 2016, ajo u gjet e mbytur në tualetin e një mobilierie në pronësi të saj dhe bashkëshortit, ku ishte i punësuar edhe Karmeshtna.
Sipas prokurorisë, vrasja është porositur nga bashkëshorti i viktimës, Sadedin Sula, për motive xhelozie. Sula po gjykohet ndërkohë tëk Krimet për vrasjen. Gjatë shqyrtimit të provave, lindën dyshime se ekzekutori ishte një tjetër person.
Prokurori tha se nga kqyrja e telefonit të viktimës janë përfituar disa regjistrime audio. Në këto regjistrime Sadedin Sula bashkëbisedonte me Karmeshtnën, me të cilin rezulton se ka një raport të ngushtë, për raportet mes biznesmenit dhe bashkëshortes dhe dyshimet rreth saj.
Kjo ka nxitur hetuesit te krahasojnë materialin gjenetik të gjendur në thonjtë e viktimës, me material gjenetik të Fatjon Karmeshtnës, marrë në një shishe uji të përdorur prej tij. Ekspertimi i ADN-së ka vërtetuar se dy profilet përputheshin.
“Viktima është përpjekur t’i rezistojë tentativës së të dyshuarit Fatjon Karmeshtna për ta mbytur dhe gjatë kontaktit fizik materiali biologjik i këtij të fundit ka mbetur i fiksuar në thonjtë e saj”, tha prokurori.
Gjatë seancë Karmeshtna dëgjoi me qetësi prokurorin. Ai nuk pranoi të japë shpegime, duke thënë “do të flas në një moment tjetër”. Me herët avokati i tij kërkoi një masë më të butë sigurie.
Përveç izolimit në paraburgim, prokurori i kërkoi gjykatës edhe që i dyshuari Karmeshtna të vuajë masën në paraburgimin 302 dhe të mos i lejohet asnjë kontakt me ish punëdhënësin e tij, të pandehurin Sadedin Sula./abcnews.al