Agim Agushi rikthehet me një tjetër sfidë spektakolare, këtë herë në ndërtesën më të lartë në botë, Burj Khalifa. Rekordmeni Guinness ka ngjitur dhe zbritur 4320 shkallë, duke mbajtur topin mbi kokë. 2160 shkallë në ngjitje dhe po aq në zbritje, në vetëm 1 orë e 12 minuta. Një performancë që Agushi e realizoi pas 12 vitesh pritjeje për të marrë lejen për këtë sfidë.
Me këtë aventurë, ai synon të vendosë rekorde të reja Guinness në disiplinat e tij. Deri tani, Agim Agushi numëron plot 18 rekorde Guinness. Por sfidat e tij nuk përfundojnë këtu. Për festat e Pavarësisë së Shqipërisë, ai ka përgatitur një tjetër performancë simbolike në Burj Khalifa.
Kulla legjendare e Dubait pritet të ndriçohet me ngjyrat kuqezi, në nder të 28 Nëntorit. Agushi do të ngjitet nga kati i parë deri në katin e 160-të, duke goditur me kokë topin e futbollit gjatë gjithë rrugës. Një performancë që do të zhvillohet nën flamurin shqiptar, në një prej skenave më ikonike të botës. Nga rekordet Guinness te sfidat e reja, Agim Agushi vazhdon ta çojë pasionin e tij përtej çdo kufiri. /abcnews.al

