Presidenti i Bylisit, Besnik Kapllanaj, ka reaguar në lidhje me vendimin e Dorian Kërçikut për t’u transferuar te Partizani, pak orë pasi kishte një dakordësi me ekipin ballshiot. Numri një i Bylisit e konsideroi këtë vendim të mbrojtësit si “prerje në besë” dhe për faqen zyrtare të klubit, tha: “Unë kam edhe një mesazh të lojtarit dhe më kërkon njëqind herë falje, ram dakord, madje në media e ka pohuar dy ditë më parë se në Ballsh i kanë ofruar kushte super.
Nuk e kuptoj, kjo është prerje në besë dhe ta quash veten futbollist profesionit, kjo s’ka ku të rrijë. Kam kaq vite që merrem me sport dhe kjo që ka bërë Kërçiku tregon thjesht që ai nuk është profesionist, – tha Kapllanaj fillimisht.
“Kam folur me drejtuesit e Partizanit, me vetë presidentin Gaz Demi, të cilin e kam mik, dhe me ka thënë që do ta zgjidhim këtë çështje, pasi kishim rënë dakord me çdo detaj, e madje doli në stërvitje. Por, Kërçiku nuk ka bërë gjë tjetër veçse i ka rënë të mirës me shkelm, sepse te Bylisi e ka derën mbyllur. Ne jemi një klub serioz, me detaje deri në stërvitje dhe kurrë nuk do të ketë vend për lojtarë që ikin fshehurazi. Kërçiku apo çdo lojtar tjetër, me atë që ne ofrojmë, ta kenë nder që veshin fanellën e Bylisit”, – tha Kapllanaj./abcnews.al