Ardian Arifaj, këshilltar i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka komentuar zhvillimet në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Arifaj ka thënë se zhvillimet e fundit nuk përbëjnë risi, pasi, sipas tij, marrëdhëniet mes dy vendeve kanë kohë që janë karakterizuar nga një ngadalësim në nivelin politik.
Ai ka theksuar se dialogu strategjik mes SHBA-së dhe Kosovës është ndërprerë, ndërsa ndërkohë një proces i tillë ka nisur mes SHBA-së dhe Serbisë.
Sipas tij, pavarësisht ngadalësimit në nivelin politik, bashkëpunimi në fusha të tjera, veçanërisht me Forcën e Sigurisë së Kosovës, ka vazhduar.
Megjithatë, ai ka theksuar se SHBA-ja mbetet e përkushtuar ndaj Kosovës, duke e cilësuar mbështetjen amerikane si të rëndësishme për konsolidimin e shtetit dhe sigurinë e vendit.
“Këto lajme nuk janë risi, pasi ka një kohë që marrëdhëniet me SHBA janë ngecur. Dialogu strategjik mes SHBA dhe Kosovës është ndërprerë, ndërkohë ka nisur me SHBA dhe Serbinë. SHBA ende nuk ka ambasador në Kosovë dhe as nuk ka ndonjë kandidat.
Kemi një ngadalësim në raportet mes SHBA dhe Kosovës në nivel politik, në fushat e tjera si bashkëpunimi me FSK ka vazhduar. Kemi pasur dhe debatin për gazsjellësin amerikan, ku Kosova po i bën bisht kësaj oferte. Kemi një kualitet të ri. Me rëndësi është që SHBA mbetet e kushtuar për Kosovën. Pa përkrahjen e SHBA dhe konsolidimin e shtetit të Kosovës ngec. Siguria e Kosovës varet nga prezenca e NATO-s në Kosovë e më vonë nga anëtarësimi i Kosovës në NATO. Dhe kjo nuk bëhet pa një përkrahje të fortë të SHBA.”

