E ftuar në studion përballë gazetarit Endri Xhafo, ishte pasditen e sotme kryetarja e opozitës parlamentare Rudina Hajdari.
Ditën e sotme përfaqësues të nismës ‘Thurje’ të shoqëruar nga deputetët e opozitës së re, Rudina Hajdari dhe Ralf Gjoni kanë depozituar në Kuvend një peticion të firmosur nga mbi 50 mijë qytetarë, ku me anë të një projektligji kërkojnë disa ndryshime në Reformën Zgjedhore.
Hajdari në studion e ABC News, i qëndroi bindjes së saj, se sistemi zgjedhor duhet të ndryshohet nga proporcional rajonal, në proporcional kombëtar, pasi në sistemin proporcional kombëtar abuzimet janë më të vështira për tu kryer.
Sipas Hajdarit ky sistem gjithashtu dobëson fuqinë e kryetarëve të partive, që kanë mbytur demokracinë brenda partive.
Pjesë nga biseda në studio:
Rudina Hajdari: Sot kemi 3 ose 4 persona që sundojnë Shqipërinë, këtë kemi parë të paktën 30 vitet e fundit. Çështja është kjo, çfarë duam ne që Shqipëria të ecë më përpara, thembra e akilit është ndryshimi i sistemit politik, sepse duke ndryshuar rrënjësisht sistemin zgjedhor, atëherë ne i kemi dhënë të drejtën qytetarëve shqiptar, të zgjedhin ata vetë përfaqësuesit që duan, dhe jo përfaqësues që zgjedhin kryetarët e partive.
Endri Xhafo: Ju kërkoni lista të hapura, përveç kësaj kërkoni dhe që të mos ketë 12 zona por kërkoni që e gjithë Shqipëria të jetë një zonë; proporcional kombëtar, mirëpo më këtë lloj sistemi do të kishim edhe shumë parti të vogla, të cilat në historinë politike të Shqipërisë kanë prodhuar efekte jo të këndshme, përse mendoni se kjo e bën më demokratik sistemin?
Rudina Hajdari: Duhet të kuptojmë që asnjë sistem nuk është më i miri i mundshmi, çdo sistem ka të mirat dhe të këqijat e veta, dhe ne për këtë jemi të vetëdijshëm. Ajo që duam të vëmë në dukje është fakti se me këtë sistem që kemi sot është abuzuar, që prej vitit 2008 ku ka ndryshuar kushtetuta dhe janë bërë amendime në kodin zgjedhor duke e bërë sistemin proporcional rajonal. Është abuzuar pasi kryetarët e partive nuk kanë zgjedhur njerëzit e duhur në favor të qytetarëve, por kanë zgjedhur parlamentar të cilët kanë qenë “bajraktarë” të një zone të caktuar, dhe kanë zaptuar atë zonë duke favorizuar ata që kanë patur mundësi më të mëdha ekonomike. Ajo që dua të theksoj është se është më e vështirë të abuzohet në një sistem zgjedhor proporcional kombëtar, në një sistem të tillë është më e vështirë të vidhet vota. Ajo që i duhet Shqipërisë sot, është zvogëlimi i fuqisë që sot kanë kryetarët e partive, të cilët kanë mbytur demokracinë brenda partive politike. /abcnews.al