Kryeministri Edi Rama ka reaguar në Facebook, pas takimeve në Elbasan për reformën e re administrative-territoriale, e cila parashikon bashkimin e Elbasanit me Cërrikun dhe Belshin, si dhe të Librazhdit me Prrenjasin.
Rama tha se kundërshtimet dhe shqetësimet e qytetarëve janë të ngjashme me ato që u ngritën në vitin 2015, kur u miratua reforma e parë administrative-territoriale. Sipas kryeministrit, rezultatet e reformës së mëparshme treguan rritje të investimeve dhe përmirësim të shërbimeve, ndërsa frikërat e ngritura në atë kohë rezultuan të pabazuara.
Ai sqaroi se bashkitë që do të bashkohen nuk do të shndërrohen automatikisht në njësi administrative të bashkisë së re. Rama solli si shembull Prrenjasin, duke theksuar se pas bashkimit me Librazhdin, ai nuk do të jetë njësi administrative e kësaj bashkie.
Kryeministri garantoi gjithashtu se asnjë nga shërbimet ekzistuese nuk do të shkurtohet, ndërsa theksoi se synimi i reformës është rritja e kapaciteteve të bashkive për të ofruar më shumë funksione dhe shërbime.
“Ajo që unë mund t’ju them është që shqetësimet ose kundërshtitë janë njësoj simetrike me shqetësimet dhe kundërshtitë e vitit 2015, kur u bë reforma e parë administrative-territoriale. Njësoj. Të njëjtat frikëra, të njëjtat dyshime, ngurrime, dhe sot, tani është ndryshimi që bashkohen bashki, nuk bashkohen komuna – bashki. Koha tregoi që ishin frikëra dhe dyshime të pabazuara, sepse të gjitha komunat përfituan më shumë nga bashkimi. Të gjitha shifrat tregojnë që investimet u rritën dhe, në tërësi, shërbimet u përmirësuan.
Parafytyrimi që këto bashki ekzistuese do të kthehen si njësi administrative që keni aktualisht është i gabuar, sepse nuk do të bëhen njësi administrative. Pra, në qoftë se Prrenjasi do të bashkohet me Librazhdin, Prrenjasi nuk do të jetë njësi administrative e Bashkisë së Librazhdit.
Ashtu sikundër Cërriku dhe Belshi, duke u bashkuar me Elbasanin, nuk do të jenë njësi administrative të Elbasanit. Për këtë arsye është krijuar qyteti si njësi administrimi. Pra, është bashkia, është qyteti, pastaj janë njësitë administrative. Dhe faktikisht raporti midis qytetit dhe njësive përkatëse administrative do të ruhet në funksion të mirëkoordinimit të shërbimeve, etj., etj. Asnjë nga shërbimet ekzistuese nuk do të shkurtohet. Faktikisht, bashkitë ekzistuese kryejnë shumë më pak funksione sesa duhet të kryejnë dhe qëllimi është që të rritet kapaciteti për të kryer më shumë funksione.”, tha ai.

