Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, u ka bërë thirrje Bashkimit Evropian dhe ambasadorëve të huaj që të mos bëjnë politikë me aktgjykimin që pritet të shpallet më 16 shtator ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.
Përmes një postimi, Gucati ka kritikuar deklaratat se procesi gjyqësor nuk përfundon me vendimin e shkallës së parë, pasi palët kanë të drejtë ankese. Sipas tij, një vendim i padrejtë në shkallën e parë do t’i shkaktonte dëme Kosovës, edhe në rast se më vonë do të ndryshohej nga Apeli.
Gucati ka pretenduar se një vendim i tillë mund të përdorej nga Serbia në arenën ndërkombëtare, përfshirë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe në fushatat e saj kundër Kosovës.
Kreu i OVL-UÇK-së ka kritikuar gjithashtu punën e Dhomave të Specializuara në Hagë, duke pretenduar se gjatë viteve të procesit është krijuar një narrativë që, sipas tij, i ka shërbyer Serbisë.
Ai ka paralajmëruar se një vendim që, sipas tij, do të kriminalizonte luftën e UÇK-së do të kishte pasoja për perceptimin mbi legjitimitetin e luftës çlirimtare dhe shtetësinë e Kosovës.
“Drejtësia nuk mund të jetë e drejtë vetëm në fund të procesit, por duhet të jetë e tillë që nga fillimi”, ka theksuar Gucati.

