Një person ka humbur jetën dhe 102 të tjerë janë shpëtuar pasi një traget pasagjerësh me 243 persona në bord u përball me kushte të vështira atmosferike në Detin Java, në Indonezi.
Operacioni i kërkim-shpëtimit u nis pasi autoritetet humbën kontaktin me tragetin Virgo Transport 8, njoftoi agjencia indoneziane e kërkim-shpëtimit.
Në momentin e incidentit, trageti po udhëtonte nga Surabaya drejt qytetit Banjarmasin, në Kalimantanin e Jugut. Anija u raportua për herë të fundit rreth 150 kilometra në jug të Banjarmasinit, rreth orës 02:00 sipas kohës lokale të së dielës.
Ekipet e shpëtimit kanë dërguar në zonë një anije kërkim-shpëtimi dhe një helikopter. Ndërkohë, të gjitha anijet që ndodhen në atë pjesë të Detit Java janë paralajmëruar që të raportojnë çdo shenjë të pasagjerëve të mbetur.
Kërkimet për personat që ende rezultojnë të zhdukur vijojnë.
Ngjarja vjen vetëm një muaj pas një tjetër incidenti tragjik me traget në Indonezi. Një traget mori flakë pranë ishullit Madura, duke shkaktuar vdekjen e pesë personave.
Indonezia, një arkipelag me më shumë se 17 mijë ishuj, mbështetet gjerësisht te transporti detar dhe tragetet janë një nga mjetet më të përdorura për lëvizjen e njerëzve dhe mallrave mes ishujve.

