Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj vendimit të Gjykatës Administrative, lidhur me pagat e gjyqtarëve dhe magjistratëve.
Sipas kryeministrit, gjykata, përmes sigurimit të padisë, nuk synon vetëm ndalimin e një akti, por kërkon edhe rritjen e menjëhershme me 51% të pagave të gjyqtarëve.
Rama pretendon gjithashtu se vendimmarrja parashikon edhe pagesën e shumave të prapambetura që nga prilli i vitit 2023.
Kryeministri shton se, sipas arsyetimit të gjykatës, pagat duhet të ishin rritur që prej vitit 2023 në masën që kërkohet të zbatohet aktualisht.
Në reagimin e tij, Rama u referohet edhe shumave që, sipas tij, do të përfitonte secili gjykatës nëse do të zbatohej vendimmarrja për pagesat e prapambetura.
“Ndjesë për informimin e pjesshëm mbi kuturisjen e djeshme të Gjykatës Administrative, e cila përmes sigurimit të parë të padisë në historinë botërore jo për të ndaluar një akt po për të kryer një akt, nuk kërkon vetëm rritjen e menjëhershme të pagave me 51% për gjykatësit, po edhe “të prapambeturat” që nga prilli 2023, sepse sipas tyre pagat duhet t’u ishin rritur që atëherë aq sa duan t’i rrisin vetë tani.
Gjeni në tabelën bashkëngjitur sa do të merrte çdo gjykatës personalisht në dorë nesër si shumë të prapambetur, sikur ministri i financave të shkelte ligjin dhe të shkonte pas berihajit të kësaj vendimmarrjeje ekstra-parlamentare.”


