Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj një vizite të kundërshtarëve të projektit të Muzeut Hebraik në Vlorë, duke akuzuar grupin se po përhap pretendime të rreme për shkatërrimin e Muzeut Labëria.
Sipas Ramës, kantieri i Muzeut Hebraik përbën një projekt me rëndësi për kujtesën historike të Vlorës dhe për rolin e qytetit në mbrojtjen e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Kryeministri akuzon më tej grupin se po pretendon se projekti po dëmton Muzeun Labëria, duke e cilësuar këtë pretendim si “shpifarak”.
Rama deklaron se Muzeu Labëria nuk do të zhduket, por do të rikonstruktohet. Sipas tij, me kërkesën e tij, Fondi Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit ka akorduar 200 mijë dollarë për hartimin e projektit të Rilindjes së Muzeut Labëria.
“ Një grup delenxhinjsh me në krye Lesko pijanikun kanë mësyrë sot në kantierin e Muzeut Hebraik të Vlorës – një gur themeli i kujtesës historike të qytetit të Pavarësisë e të lavdisë në mbrojtjen e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore – me pretendimin pervers dhe shpifarak se medemek po u shkatërroka Muzeu Labëria ose ndryshe Muzeu Etnografik. Çeta e Lesko Pijanikut e ka zakon këtë ritual sulmesh mbi kantieret e transformimit epokal të Vlorës, por populli vlonjat duhet ta dijë që me kërkesën time, Fondi Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit ka akorduar 200 mije USD per hartimin e projektit të Rilindjes së Muzeut Labëria, një karakatinë e degraduar totalisht që do të kthehet krahas Muzeut Hebraik në një tjetër derë të hapur krenarie të Vlorës patriotike e turistike. Dhe Lesko Pijaniku do vrapojë tek kantieret e radhës, njësoj siç vrapon përnatë pas kecave e pulave që shoqërojnë rrëketë e rakisë në gurmazin e pangopur të tij”

