Sondazh

Grushtat në protestë, a shënojnë fundin e saj?

Loading ... Loading ...
 

Nga 150 kg në 84 kg: Historia e Artur Kardhashit që humbi 66 kilogramë dhe fitoi veten

schedule11:14 - 11 Shtator, 2026

schedule 11:14 - 11 Shtator, 2026

Për 15 vite, Artur Kardhashi punoi si shef kuzhine në Greqi dhe Angli, ndërsa jeta e tij profesionale ecte përpara. Por pas kthimit në Shqipëri, ai po përballej me një tjetër betejë: peshën dhe mënyrën se si po e shihte veten. Në një moment kishte arritur 150 kilogramë. Ishte i izoluar, kishte humbur besimin te vetja dhe e ndiente veten në prag të depresionit.

Ndryshimi nisi nga një pyetje që iu bë gjatë një interviste pune: “Si do doje që vajza jote të të shihte?” Ajo pyetje e preku aty ku duhej. Arturi nuk donte që vajza e tij të shihte tek ai një njeri që ishte dorëzuar. Punëdhënësi i kërkoi të humbte 7 kilogramë brenda një jave. Ai e mori si sfidë dhe në fund të javës kishte humbur 8.5 kilogramë.

Ishte vetëm fillimi. Brenda gjashtë muajve humbi 55 kilogramë, ndërsa sot, nëntë muaj nga nisja e këtij rrugëtimi, peshon 84 kilogramë. Arturi thotë se nuk e privoi veten nga ushqimi, por mësoi ta kuptojë më mirë atë dhe të krijojë një marrëdhënie tjetër me të. Eksperienca 15-vjeçare në kuzhinë i ka dhënë një avantazh të veçantë: ai njeh produktet, gatimin dhe mënyrën se si ushqimi mund të shijohet pa u kthyer domosdoshmërisht në privim.

Por për të, kjo histori nuk ka të bëjë vetëm me pamjen. Ai thotë se ndryshimi i trupit i ndryshoi edhe mënyrën se si mendon, si e sheh veten dhe si përballet me jetën.
Sot dëshiron të jetë shembull për njerëzit që ndodhen aty ku ai ishte dikur dhe t’u tregojë se nuk ka nevojë të ndryshosh gjithçka brenda një dite. Hapat e vegjël, kur përsëriten çdo ditë, mund të sjellin ndryshime të mëdha.

Dhe ndoshta një nga detajet që e tregon më mirë filozofinë e tij të re është kuzhina: në shtëpinë e Arturit nuk ka mikrovalë. Ai gatuan vetë, përgatit paketat e ushqimit dhe shpesh ua dorëzon personalisht klientëve, sepse dëshiron t’i shohë në sy dhe të dijë se kush po merr ushqimin që ai ka përgatitur. Nga 150 në 84 kilogramë, Arturi thotë se nuk ka fituar thjesht një trup tjetër. Ka fituar një tjetër version të vetes./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!