Shpërthimi i vullkanit Anak Krakatau ka shkaktuar ndërprerje të konsiderueshme në transportin ajror në Indonezi, duke detyruar autoritetet të pezullojnë përkohësisht operacionet në Aeroportin Ndërkombëtar pranë Xhakartës.
Hiri vullkanik u zbulua në hapësirën ajrore pranë aeroportit gjatë orëve të para të së dielës, duke prekur më shumë se 22 mijë pasagjerë dhe 209 fluturime.
Ndikimi më i madh u regjistrua në linjat drejt dhe nga Singapori, ndërsa probleme pati edhe në fluturimet ndërkombëtare drejt Dohas, Sidneit dhe Kuala Lumpurit. Të paktën 16 fluturime të brendshme drejt Balit u anuluan gjithashtu.
Autoritetet indoneziane konfirmuan praninë dhe përhapjen e hirit vullkanik në zonën e aeroportit dhe zgjatën pezullimin e operacioneve, ndërsa po monitorojnë lëvizjen e resë së hirit për të vlerësuar rifillimin e fluturimeve.
Anak Krakatau nisi aktivitet të fuqishëm gjatë fundjavës. Vullkani shpërtheu disa herë, duke nxjerrë lavë, ndërsa u raportuan edhe aktivitet sizmik dhe zhurma të forta në zonat përreth. Dy shpërthime të tjera u regjistruan herët të dielën.
Hiri vullkanik ka shkaktuar probleme edhe për banorët në zonat pranë vullkanit. Ministria e Shëndetësisë u ka bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë brenda dhe të përdorin maska për t’u mbrojtur nga irritimet e syve, lëkurës dhe rrugëve të frymëmarrjes.
Disa shkolla kanë anuluar aktivitetet, pasi nxënës dhe banorë kanë raportuar irritim të syve. Ndërkohë, edhe peshkatarët kanë pezulluar daljet në det për shkak të pranisë së hirit./abcnews.al

