Pep Guardiola arriti finalen e tij të parë në Angli. Trajneri i Mançester Sitit u shpreh i lumtur për suksesin në Kupën e Ligës, por paralajmëroi futbollistët e tij që të nxjerrin mësime nga sfidat me Bristol Sitin.
Epërsia nuk kishte se e kujt të ishte tjetër.
Sado heroik të ishte Bristol Siti, dominimin edhe jashtë fushe do ta kishte Mançester Siti, që në fund arriti edhe kualifikimin.
Pep Guardiola siguroi finalen e tij të parë në Angli, veçse gjithkush do të flasë me të drejtë për kundërshtarin modest, por të guximshëm.
Edhe pse kryesuesit e Premier Ligës patën epërsi në përballjen e dytë të Kupës së Ligës, edhe pse ata e kthyen sundimin e tyre në gola, për të kryesuar 2-0, sërish asgjë nuk përfundoi lehtë.
Ashtu si në ndeshjen e parë, kur Sitit iu desh goli në minutat shtesë për të fituar, edhe këtë herë Bristol nuk u dorëzua.
Reagoi furishëm në ato momente të pakta që u lejua të kishte zotërimin e topit, dhe shfrytëzoi zotësinë më të madhe në lojën ne ajër për të barazuar rezultatin.
Ndërsa Leroi Sane e Kun Aguero realizuan për miqtë, Marlon Pak e Adin Flint lumturuan pa fund tifozët vendas.
Stadiumi “Eshton Gejt” pati shansin, pra të ndiqte një ndeshje të madhe futbolli dhe një paraqitje po të madhe të ekipit të vet.
Xhonson: “Është fakt që Sitit iu deshën golat në minutat shtesë që të na mundte në të dyja ndeshjet. Më vjen mirë që ne luajtëm futboll ndaj skuadrës më të mirë të Anglisë dhe shpresoj që këto paraqitje të na japin energji dhe besim për të ardhmen. Ne duam të jemi në Premier Ligë, por e dimë se diferenca mbetet e madhe. Diferenca jonë me Mançester Sitin është të paktën 300 milionë euro blerje”.
Mançester Siti ka mundësi të fitojë trofeun e parë me Guardiolën, ndërsa mbetet me ambicie në çdo garë.
Kryeson me diferencë Premier Ligën, është në turin e dytë të Championsit, ndërsa të dielën luan në Kupën e Ligës në fushën e Kardifit.
Trajneri katalanas ka një vërejtje për të vetët.
Guardiola: “Nuk është çështja tek unë, por tek Mançester Siti, që duhet të arrijë një tjetër nivel. Në të kaluarën, ekipi e arriti këtë nivel me trajnerët Mançini e Pelegrini, dhe duhet të jemi sërish atje. Duhet të ruajmë këtë nivel në çdo ndeshje, që nga e diela kur luajmë në Kardif për Kupën e Anglisë, por po ashtu në Premier Ligë. Jemi të lumtur me finale, ndonëse lejuam të na ikte ndeshja nga dora kur ishim 2-0 në avantazh. Gjithsesi, ky do të jetë një leksion shumë I mirë për ne, sidomos në Champions ku luhet me sistem eleminimi”./abcnews.al