Administrata e muzeut të mbyllur për vizitorët, vazhdon punën në kushte skandaloze

schedule17:25 - 6 Janar, 2020

schedule 17:25 - 6 Janar, 2020

Ky fillimvit e gjen Tiranën me muze të mbyllur, për shkak të dëmeve të tërmetit. Nuk  mungojnë  vizitorët vendas dhe të huaj që shfaqin interes për të parë nga afër muzeun historik kombëtar. Ndërkohë që Ministria e Kulturës, me 20 dhjetor të vitit të kaluar tha se do të zhvendoste punonjësit e administratës nga muzeu, por ata vazhdojnë punën mes të ftohtit pa ngrohje.

Muzetë, janë destinacionet kryesore të vizitorëve vendas dhe të huaj.

Muzeu historik kombëtar që prej 20 dhjetorit të vitit të shkuar është i mbyllur me urdhër të Ministrisë së Kulturës, pasi dëmet në këtë institucion kanë qenë të mëdha, kryesisht në plasaritje muresh dhe rënie pllakash në pjesën e jashtme të tij. Ende nuk ka dalë për këtë institucion akt – ekspertiza nga Instituti i Ndërtimit. Por nuk mungojnë vizitorët të cilët vijnë për të parë nga afër një ndër muzetë më të vizituar në vend.

Punonjësit e administratës dhe rojet e institucionit janë të vetmit në këtë institucion, të cilët po përpiqen të pastrojnë edhe xhamat e thyera të një dritareje, nga era e fortë.

Punonjësit e administratës, vazhdojnë punën në kushte aspak të përshtatshme, mes të ftohtit dhe pa ngrohje.

Muzeu Historik Kombëtar është përuruar në vitin 1981. Në pavionet e tij gjenden të ekspozuara rreth 5000 objekte, nga mijëvjeçari IV para erës sonë e deri në gjysmën e dytë të shekullit XX.

Edhe muzeu kombëtar Shtëpia e Përgjimeve vazhdon të jetë i mbyllur që me 20 dhjetor 2019, pasi as për këtë institucion raporti teknik nuk ka dalë ende dhe të çarat në mure dhe dysheme nga tërmeti kanë qenë të mëdha edhe në këtë muze.

E vetmja që ka hapur dyert është Galeria Kombëtare e Arteve, e cila ende ka shenjat e tërmetit në mure edhe pse raporti teknik e ka cilësuar pa probleme./abcnews.al