Një automjet tip Ford është përfshirë nga flakët mbrëmjen e sotme në zonën e Zogut të Zi, në Fier.
Sipas informacioneve paraprake, drejtuesi i mjetit ka konstatuar tym që dilte nga kofanoja dhe ka ndaluar menjëherë automjetin, duke dalë prej tij dhe duke u larguar në kohë.
Në vendngjarje kanë ndërhyrë fillimisht shërbimet e Policisë, të cilat kanë bllokuar përkohësisht qarkullimin në rrugët që të çojnë në këtë zonë, për të shmangur çdo rrezik për qytetarët dhe automjetet e tjera, në rast se zjarri do të shkaktonte shpërthim.
Menjëherë pas njoftimit ka mbërritur edhe shërbimi zjarrfikës, i cili ka bërë të mundur shuarjen e flakëve dhe neutralizimin e situatës.
Dyshohet se zjarri është shkaktuar nga një shkëndijë në pjesën e baterisë së automjetit, e cila ka sjellë përfshirjen e mjetit nga flakët.
Fatmirësisht, nga ngjarja nuk ka persona të lënduar, ndërsa janë regjistruar vetëm dëme materiale në automjet.


