Tashmë, gjithçka është zyrtare. Mirlind Daku është përfundimisht lojtar i Spartakut të Moskës, dhe klubi nga kryeqyteti rus bëri lajmërimin në faqet e veta në në rrjetet sociale.
Sulmuesi i kombëtares shqiptare do të ketë kontratë 3-vjeçare, deri në 2029, me të drejtë zgjatje edhe për një sezon tjetër.
Spartaku ra dakord që të pagojë plot 11 milionë euro për kartonin e yllit me origjinë nga Kosova, duke dhënë edhe më tepër sesa është vlerësimi joformal në “transfermark” që e jep në 9 milionë euro.
Besohet se kjo ndodhi sepse ka pasur konkurrencë sidomos në Rusi, por ndoshta edhe jashtë saj.
Rubin ishte në pozita të forta sepse Daku kishte kontratë afatgjatë në Kazanj, ndaj edhe gjithçka shkoi në favor të klubit nga Tatarstani.
Rroga e futbollistit kuqezi do të jetë vërtetë e lartë, një nga 2-3 më të mirat e Superligës së Rusisë.
Sipas njoftimeve mediatike, ai do të fitojë nga 3.75 milionë deri në 4 milionë euro në sezon, rreth 25 për qind më shumë sesa merrte tek Rubini.
Specialistët dhe ish-lojtarët e Spartakut janë të sigurt se ardhja e Dakut është një sukses, edhe pse do të duhet të kalojë paragjykimet e tifozëve ultras të cilët nuk e duan meqë janë proserbë dhe shqiptari ka edhe tatuazhin e ish-komandantit të UÇK-së, Katanës.


