TIRANË- Pas stuhisë së fortë që përfshiu vendin mbrëmjen e së martës, moti do të pësojë një përmirësim të përkohshëm gjatë ditës së sotme dhe nesër, por reshjet me shtrëngata pritet të rikthehen sërish të premten.
Paralajmërimi u dha nga specialistja e Institutit të Gjeoshkencave (IGJEUM), Anira Gjoni, e ftuar në emisionin “News Line”, në ABC News, e cila tha se episodet me stuhi do të vijojnë deri në fund të javës.
Sipas saj, fundjava do të jetë më e qetë, ndërsa gjatë së enjtes dhe të premtes pritet një rënie graduale e temperaturave.
“Do jetë prezente deri në fund të javës, episode si ai i mbrëmjes së djeshme pritet të kemi sërish të premten pothuajse në të gjithë territorin. Reshjet do jenë të shoqëruara me shkarkesa elektrike. Të premten do të nisin në veri shtrëngatat, pastaj do zbresin në qendër dhe do zhvendosen më pas në pjesën juglindore.
Sot dhe nesër kemi një përmirësim afatshkurtër të motit, dhe priten të rikthen reshjet të premten në formën e shtrëngatës. Fundjava do jetë më e qetë. Të enjten dhe të premten, pritet rënie graduale e temperaturave” u shpreh Gjoni.
Duke folur për javën e ardhshme, specialistja e IGJEUM tha se e hëna mund të sjellë reshje të dobëta lokale, ndërsa temperaturat do të jenë në rritje.
“E hëna do të shoqërohet me reshje të dobëta lokale, ndërsa temperaturat do të rriten gradualisht. Më pas do t’i rikthehemi ditëve tipike të nxehta të verës,” theksoi ajo./abcnews.al



