Mund të humbasësh, por të paktën të mos turpërohesh. Kjo i ndodhi për fat të keq Vllaznisë, madje në një ndeshje që me të drejtë cilësohej vëllazërore.
Në Kosovë, në fushën e Malishevës, skuadra më e vjetër e futbollit shqiptar pësoi një katastrofë të vërtetë me rezultatin 5-0 në ndeshjen e dytë të raundit të parë eliminator të Ligës së Konferencës.
Padyshim një 90 minutësh pa histori, të paktën nga ana e shkodranëve, sepse për ekipin me shumë më pak emër nga Kosova, historia u shkrua madje shumë bukur.
Epërsia e vendasve ishte e plotë, dhe që në pjesën e parë u arrit avantazhi 2-0 me gola nga Uka dhe Ibishi. Pas pushimit, Uka realizoi të dytin personal, dhe më tej Veliu e Dulaj mbyllën llogaritë.
Ndeshja e parë në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës kishte përfunduar 2-1 për kuqeblutë.
Trajneri I Malishevës, Tomas Brdariç, ish-trajner I Vllaznisë deri dy sezone më parë, mund të thuhet se realizoi një revansh, apo një hakmarrje ndaj punëdhënësve të tij të mëparshëm.
Ekipi kuqeblu barazoi humbjen e dytë më të rëndë të pësuar në Europë, por shifrat 5-0 më herët kishin qenë ndaj Napolit, ndërsa rekordi mbetet disfata e rëndë 6-0 përballë Trabzonsporit nga Turqia./abcnews.al



