Sondazh

Kupa e Botës, shkon:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Shkoi në Amerikë pa asnjë qindarkë, sot ka 250 apartamente: Rrëfimi i rrallë i shqiptarit që realizoi ëndrrën amerikane

schedule13:08 - 14 Korrik, 2026

schedule 13:08 - 14 Korrik, 2026

Historia e Mhill Gjurajt është një dëshmi se puna, këmbëngulja dhe ndershmëria mund ta ndryshojnë rrënjësisht jetën e një njeriu. I larguar nga vendlindja në moshën 15-vjeçare, ai mbërriti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pa para, pa njohur gjuhën dhe pa pasur asnjë garanci për të ardhmen. Sot, pas më shumë se pesë dekadash, ai është një nga sipërmarrësit më të njohur shqiptaro-amerikanë në fushën e pasurive të paluajtshme.

Me origjinë nga Sferka e Thatë e Lugut të Leshanit, në komunën e Pejës, Gjuraj kujton se fëmijëria e tij ishte e mbushur me vështirësi. Familja përballej me mungesa të shumta, ndërsa për të siguruar ujë duhej të ecnin me minuta të tëra. Pikërisht ato sakrifica, thotë ai, i mësuan vlerën e punës dhe të përkushtimit.

Në vitin 1973 emigroi në SHBA bashkë me familjen. Fillimet nuk ishin aspak të lehta. Nuk njihte anglishten, nuk kishte ndjekur asnjë ditë shkollë në Amerikë dhe çdo arritje u fitua vetëm përmes punës së palodhur. Me kalimin e viteve, ai hyri në sektorin e ndërtimit dhe të pasurive të paluajtshme, duke ndërtuar një biznes të suksesshëm që i solli rezultate të jashtëzakonshme.
Një nga investimet më të rëndësishme ishte blerja e një kompleksi me 250 apartamente, investim që u pasua nga prona të tjera dhe një zgjerim i vazhdueshëm i aktivitetit të tij. Sot ai zotëron disa prona, ndërsa thekson se asnjë sukses nuk do të kishte qenë i mundur pa punë, disiplinë dhe kursim.



Megjithatë, për Mhill Gjurajn, pasuria nuk matet vetëm me prona. Ai thotë se pasuria më e madhe janë familja, miqtë, respekti i njerëzve dhe mundësia për të ndihmuar ata që kanë nevojë. Për vite me radhë ai ka mbështetur familje në vështirësi dhe ka kontribuar në kauza humanitare dhe kombëtare, duke qenë aktiv në komunitetin shqiptaro-amerikan dhe në mbështetje të çështjes shqiptare.

Një nga momentet më prekëse të jetës së tij ishte vendimi për t’u dhuruar nga një shtëpi secilit prej katër fëmijëve – Lindenit, Zefit, Marijanit dhe Laurenit. Sipas tij, ishte një mënyrë për të shprehur dashurinë, respektin dhe për të garantuar që fëmijët të ndërtonin jetën e tyre mbi vlerat e familjes dhe harmonisë.

Edhe pse jeton prej dekadash në Shtetet e Bashkuara, lidhja e tij me Kosovën dhe kombin shqiptar ka mbetur e pandryshuar. Ai ka qenë pjesë e shumë veprimtarive patriotike dhe protestave në mbështetje të çështjes shqiptare, duke e konsideruar kontributin për atdheun një përgjegjësi morale.

Jeta dhe veprimtaria e tij janë përmbledhur edhe në librin “Vlera e Humanizmit dhe Atdhetarizmit”, me autor Mikel Gojanin, ku pasqyrohen rrugëtimi i tij në biznes, aktiviteti humanitar dhe angazhimi për komunitetin shqiptar në SHBA.

Në një lidhje direkte për ABC e Mëngjesit nga Ulqini, Mhill Gjuraj rrëfen historinë e jashtëzakonshme të jetës së tij – nga një emigrant i ri që mbërriti në Amerikë pa asnjë qindarkë në xhep, deri te një sipërmarrës i suksesshëm që ndërtoi një jetë të begatë, pa harruar kurrë vendlindjen, familjen dhe vlerat që e shoqëruan në çdo hap të rrugëtimit të tij./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!