Shpërfillja e mbikalimeve nga këmbësorët në autostradën rezulton me pasoja të rënda në qarkun e Fierit.
Në pak muaj, dy shtetas kanë humbur jetën si pasojë e përplasjes nga automjetet teksa kalonin rrugën përmes trafikndarëseve.
Një grua 75 vjeçe përfundoi në spital me plagë të rënda mëngjesin e 13 korrikut teksa tentoi të kalonte nga njëra anë e rrugës në tjetrën në autostradën Rrogozhinë-Lushnjë.
Të dhënat nga policia rrugore në Fier flasin për një intensitet të lartë të frekuentimit të autostradave nga këmbësorët, banorë të zonave përreth, ku në pak muaj kanë humbur jetën dy shtetas.
Rrugët problematike janë Autostrada Lushnjë-Fier, Rrogozhinë-Lushnjë, bypass-i i Fierit dhe Levan-Tepelenë.
Në të gjithë gjatësinë e rrugëve ka mbikalime dhe nënkalime, por shumë banorë të zonave i neglizhojnë për të arritur më shpejt në anën tjetër të rrugës, duke rrezikuar jetën e tyre dhe të frekuentuesve të tjerë të rrugëve./abcnews.al



