TIRANË- Kryeministri Rama deklaroi se Shqipëria ka kaluar nga sfidat bazike të shërbimeve publike drejt një faze ku qytetarët kërkojnë standarde më të larta, duke theksuar se kjo është një shenjë e zhvillimit të shoqërisë.
Duke sjellë shembuj nga transporti publik dhe menaxhimin e mbetjeve, Rama kujtoi se përpara nisjes së rilindjes urbane transporti dominohej nga furgonët, ndërsa sot sfida nuk është më ekzistenca e linjave të autobusëve, por rritja e cilësisë së shërbimit.
Në të njëjtën linjë, kryeministri tha se edhe problematika e mbetjeve ka ndryshuar. Sipas tij, në të kaluarën shqetësimi ishte nëse makina e plehrave vinte një herë në javë, ndërsa sot debati është për mënyrën e përpunimit të mbetjeve.
Rama u ndal edhe te perceptimi i qytetarëve ndaj institucioneve, duke theksuar se shoqëria shqiptare nuk është bërë më negative, por më kërkuese. Ai theksoi se kush mendon se shoqëria është bërë me negative në qëndrimet dhe kërkesat e saj, nuk duhet të merret me politikë.
Sipas kryeministrit, rritja e cilësisë së shërbimeve publike është tashmë një domosdoshmëri për funksionimin e një shoqërie demokratike dhe të ekonomisë së tregut.
“Transporti publik, dikur përpara rilindjes urbane, furgonët ishin normaliteti. Lufta për të hequr furgonët ishte si një luftë për të luftuar Covidin me grushte, sot as nuk behët fjalë që ne të pretendojmë që njerëzit të jenë të kënaqur me transportin publik, pavarësisht se ka linja dhe autobusët etj etj.
Duhet nivel tjetër. E tha ministri çështjen e mbetjeve, dikur nuk ishte problem se si përpunohen mbetjet, dikur ishte çështja se kur vinte makina e plehrave që vinte njëherë në javë, ndërkohë sot shqetësimi sot është si përpunohen mbetjet.
Kush mendon se shoqëria është bërë më negative, nuk duhet të merret me politikë, nuk duhet të merret me punë, të cilat janë funksion dhe shërbim publik, sepse nuk përballon dot atë që e percepton si negativitet. Sot kush merret me këtë punë, duhet thjesht dhe vetëm ta ketë të ndarë mendjen se shoqëria është bërë më kërkuese, jo më negative.
Se si e shpreh shoqëria kërkesën, është një tjetër temë, që nuk jemi këtu për këtë, por ne jemi këtu për të kuptuar se duhet kaluar në një nivel tjetër me patjetër dhe kjo nuk është thjesht sot një çështje shërbimesh, por është një çështje ekzistenciale e shoqërisë demokratike, është një çështje ekzistenciale e shoqërisë së ekonomisë së lirë të tregut, e një shoqërie që bazohet te sipërmarrja për të mos lejuar që pastaj Shqipëria të kthehet me kokë poshtë”, tha ai./abcnews.al



