Duke komentuar protestat për Zvërnecin, Fatbardh Kadilli tha në Real Story se ato mbështeten mbi pakënaqësinë reale të qytetarëve, por argumentoi se kjo pakënaqësi buron nga mungesa e hapësirave për konkurrencë të ndershme në politikë, profesion dhe biznes.
Ish-anëtari i PD-së kritikoi edhe strategjinë e opozitës, duke thënë se në vend që të angazhohej me qytetarët, është përqendruar te lobimet në SHBA.
Kadilli u shpreh se objektivi kryesor i shqiptarëve mbetet anëtarësimi në Bashkimin Evropian. Sipas tij, qytetarët e shohin BE-në si garanci për demokraci dhe qeverisje, ndërsa shtoi se politika shqiptare ka dështuar të ndërtojë një Shqipëri plotësisht evropiane.
“Ajo protestë ka si ingredient pakënaqësinë popullore. Përbërja kryesore janë shqiptarët e pakënaqur nga partitë që në 30 vjet kanë ecur me hapin e breshkës. Komandohet nga dy persona, nuk ka përfshirje në demokraci dhe nuk ka hapësirë për një garë të drejtë në profesion, në politikë, në biznes. Këto janë arsyet edhe pse nuk e ndoqën Berishën në 3-4 muaj. Ishin shtresa e mesme dhe e lartë, ata që dinë të shkruajnë dhe të lexojnë në Facebook.
Në vend që PD të investohet për këta njerëz, shkon dhe investohet me lobime në Amerikë, me amendamente, me idenë se Evropa dhe Amerika mërzitet me Ramën. Objektivi i shqiptarëve është të futen në BE. Shqiptarët duhet të futen në BE, se nuk kanë garancitë në qeverisjen e Ramës dhe Berishës, dhe BE-ja u duket garanci për qeverisje dhe demokraci.
Ne kemi dështuar si politikë për të projektuar një Shqipëri evropiane. Do të duhet që shqiptari të ketë të ardhme në BE. Në BE shoh të ardhme të mrekullueshme për shqiptarët, por jo për Shqipërinë. Shqipëria nuk do të ketë më mundësinë të bëjë diçka në interesat e veta.”



