Një ilaç revolucionar që vonon shfaqjen e diabetit të tipit 1 është miratuar për përdorim në sistemin shëndetësor publik të Anglisë dhe Uellsit (NHS), duke u cilësuar si përparimi më i madh në trajtimin e kësaj sëmundjeje në më shumë se një shekull, sipas “The Guardian”.
Ilaçi, i quajtur teplizumab (emri tregtar Tzield), nuk e shëron diabetin e tipit 1, por mund të vonojë zhvillimin e tij simptomatik deri në tre vjet.
Ai vepron duke “trajnuar” sistemin imunitar që të mos sulmojë qelizat e pankreasit që prodhojnë insulinë.
Instituti Kombëtar për Ekselencën në Shëndetësi dhe Kujdes (NICE) ka miratuar përdorimin e ilaçit për të rriturit dhe fëmijët mbi moshën 8 vjeç që ndodhen në fazën e hershme, pa simptoma, të diabetit të tipit 1.
Ekspertët thonë se kjo u jep pacientëve vite të vlefshme përpara se të kenë nevojë për trajtim të përhershëm me insulinë.
Teplizumab administrohet përmes infuzionit intravenoz një herë në ditë për 14 ditë rresht. Pas përfundimit të kursit dyjavor, trajtimi mbyllet pa pasur nevojë për doza të tjera.
Sipas organizatës bamirëse “Diabetes UK”, miratimi i këtij ilaçi shënon fillimin e një epoke të re në trajtimin e diabetit të tipit 1, pasi për herë të parë në mbi 100 vjet mjekësia po kalon përtej insulinës dhe po synon shkakun themelor të sëmundjes.



