Dhjetëra shtete kanë njoftuar ndihmën e tyre për Venezuelën, e cila u godit nga dy tërmete të njëpasnjëshme që kanë lënë pas të paktën 164 viktima dhe mbi 1 mijë persona të plagosur. Shtetet e Bashkuara të Amerikës njoftuan se kanë dërguar ekipet e tyre të kërkim-shpëtimit në Karakas, ndërsa Fondi Monetar Ndërkombëtar njoftoi alokimin e mbi 200 milionë dollarëve për rindërtimin e këtij shteti si fond fillestar.
Përpjekjet e kërkim-shpëtimit po vijojnë për të paktën 10 mijë qytetarë, të cilët janë raportuar të zhdukur dhe dyshohet se kanë mbetur nën rrënoja. Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara ka paralajmëruar se bëhet fjalë për një ngjarje sizmike me potencial të lartë shkatërrues dhe se dëmet mund të jenë shumë më të mëdha sesa vlerësimet fillestare. Shanset janë 40% që numri i viktimave të kalojë 10 mijë dhe 30% që të shkojë mbi 100 mijë.
Sipas Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara, ishin dy tërmete shkatërruese që goditën Venezuelën. Lëkundja e parë ishte me magnitudë 7.2, e ndjekur më pak se një minutë më vonë nga një tërmet edhe më i fortë me magnitudë 7.5. Epiqendra ndodhej rreth 160 kilometra në perëndim të Karakasit, ndërsa lëkundjet u ndjenë edhe në Kolumbi dhe në disa vende të tjera të rajonit të Karaibeve.
Pamjet e publikuara darkën e kësaj të hëne tregojnë ndërtesa të shembura, rrugë të mbushura me banorë që qëndrojnë jashtë banesave të tyre dhe ekipe emergjence që vijojnë të kërkojnë të mbijetuar nën rrënoja. Dëme të konsiderueshme janë raportuar në Karakas dhe në qytetin bregdetar La Guaira, ku ndodhet edhe aeroporti kryesor ndërkombëtar i vendit.
Presidentja në detyrë, Delcy Rodriguez, shpalli gjendjen e jashtëzakonshme kombëtare dhe bëri të ditur se qeveria do të kërkojë mbështetje ndërkombëtare për përballimin e pasojave të katastrofës. Shkollat janë mbyllur, disa shërbime transporti janë pezulluar dhe autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë larg ndërtesave të dëmtuara për shkak të rrezikut nga pasgoditjet. Presidenti amerikan Donald Trump e cilësoi tërmetin të një shkalle të madhe shkatërruese dhe ofroi ndihmë, ndërsa Delcy Rodriguez e falënderoi për gatishmërinë.



