Një operacion i Policisë së Sarandës dhe Drejtorisë së Forcës Operacionale ka çuar në arrestimin e 34-vjeçarit nga Elbasani, Elvis Koçi, i njohur ndryshe si Elvis Çaushllari, por edhe me nofkën vis korçari, pjesë e një grupi kriminal me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
34-vjeçari ishte vënë nën monitorim prej kohësh dhe gjatë së shtunës u identifikua në qendër të Ksamilit, teksa lëvizte me një automjet tip “Audi”.
Në momentin e ndërhyrjes së policisë, Elvis Çaushllari ka tentuar t’i shmanget arrestimit. Ai dyshohet se ka kryer manovra të rrezikshme me automjetin, duke përplasur edhe dy mjete civile të policies.
Menjëherë pas tentativës për arratisje u organizua ndjekja policore dhe pas rreth 30 minutash kërkime, 34-vjeçari u kap pranë një biznesi privat në aksin Ksamil–Butrint, ku u neutralizua dhe u vu në pranga.
“vis korçari” ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kishte lënë në fuqi vendimin që e dënon me 4 vite burg për veprat penale “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”.
Autoriteteve u rezulton se atij i kanë mbetur për të vuajtur edhe 2 vite, 9 muaj e 9 ditë burgim. Policia ka sekuestruar gjithashtu automjetin me të cilin lëvizte i arrestuari.
Elvis Çaushllari është një emër i njohur për drejtësinë. Ai u arrestua në vitin 2022 në kuadër të operacionit të SPAK “Plumbi i Artë”, hetim që goditi disa prej grupeve kriminale më të njohura në vend, ndërsa më pas u lirua deri në marrjen e vendimit përfundimtar nga Gjykatat e Posaçme./abcnews.al



