SHKODËR- Policia e Shkodrës ka arrestuar 18-vjeçarin, si autor i dyshuar i plagosjes me thikë të 32-vjeçarit, ngjarje e ndodhur mesditën e së enjtes në ambientet e Poliklinikës së qytetit. Në pranga është vënë edhe babai i tij, 53 vjeç, i dyshuar si bashkëpunëtor në krim.
Sipas hetimeve paraprake, konflikti kishte nisur fillimisht në lagjen “Vasil Shanto”, ndërsa më pas është zhvendosur në ambientet e Poliklinikës, ku babë e bir dyshohet se kanë goditur me thikë 32-vjeçarin. I plagosuri ndodhet në kujdesin e mjekëve.
18-vjeçari akuzohet për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Prishja e qetësisë publike”, ndërsa babai i tij akuzohet për “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim.
Në lidhje me këtë konflikt, më herët gjatë ditës, Policia kishte arrestuar në flagrancë edhe një 41 vjeçar, vëllanë e të plagosurit, duke parandaluar një përshkallëzim të mëtejshëm të ngjarjes.
Ai u arrestua nga Policia e Shkodrës pasi ishte nisur i armatosur për t’u hakmarrë për plagosjen e të vëllait. Atij iu sekuestrua arma e tipit pistoletë dhe autoritetet po hetojnë zbardhjen e rrethanave të ngjarjes./abcnews.al



