Analisti sportiv Ledio Pano vlerësoi paraqitjen e Zvicrës në përballjen ndaj Bosnjës, duke theksuar se në përgjithësi skuadra zvicerane ishte më superiore gjatë 90 minutave të lojës.
Sipas Panos, edhe pse pati momente kur Bosnja mund të krijonte rrezik, Zvicra kontrolloi më mirë ndeshjen dhe tregoi stabilitet më të madh në fushë.
Analisti komentoi edhe një prej lojtarëve në fushë, duke thënë se ai ishte i izoluar nga pjesa tjetër e skuadrës dhe nën një trysni të madhe, gjë që e bënte të dukej më aktiv në kërkimin e topit.
“Kishte momente që Bosnja mund të godiste Zvicrën, por në tërësinë e 90 minutave Zvicra ishte më lart. Ndonjë më kujtoi një lojtar që ishte i ndarë nga pjesa e 11-shes.
Ishte në një trysni të jashtëzakonshme. Binte në sy sepse vetëm ky e kërkonte topin. Ndryshimet që bëri trajneri ishin të goditura, sepse ndryshuan rezultatin.”
Trajneri Rrahman Hallaçi vlerësoi paraqitjen e Zvicrës në ndeshjen ndaj Bosnjës, duke theksuar se skuadra zvicerane tregoi progres dhe potencial të lartë në këtë përballje.
Sipas Hallaçit, edhe pse Zvicra nuk e dominoi totalisht ndeshjen, ajo arriti të rrisë nivelin e lojës deri në fund dhe të sigurojë një fitore bindëse.
Ai theksoi gjithashtu presionin e madh që Zvicra krijoi në portën e Bosnjës, duke vlerësuar rritjen e intensitetit në pjesën e dytë të lojës.
“Zvicra me lojërat që ka bërë na u duk surprizë, tani ka lojtarë që kanë perspektivë të mirë. Kjo fitore ishte bindëse, nuk dominoi totalisht në ndeshje, por Zvicra rriti lojën deri në fund.
Presioni ishte shumë i madh në portën e Bosnjës. Zvicra është shumë e përparuar, sidomos në futboll dhe jemi mësuar duke parë lojtarë të rinj, diferenca u bë në minutën e 70.”



