Sondazh

Kupa e Botës, shkon:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Karakaçi: Fluturimi Tiranë-Toronto, mundësi e re për turizmin në Shqipëri

schedule15:30 - 19 Qershor, 2026

schedule 15:30 - 19 Qershor, 2026

Në ceremoninë e mbërritjes së fluturimit të parë direkt nga Toronto në Tiranë, ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Enea Karakaçi, e cilësoi këtë moment si një arritje historike për aviacionin civil shqiptar.

Ai theksoi se për herë të parë krijohet një lidhje ajrore direkte mes Kanada dhe Shqipëri, duke forcuar marrëdhëniet mes dy vendeve dhe duke lehtësuar lëvizjen e qytetarëve, bizneseve dhe turistëve.

Sipas ministrit, realizimi i kësaj linje është rezultat i bashkëpunimit të ngushtë mes institucioneve shqiptare dhe kanadeze, si dhe i finalizimit të marrëveshjes së transportit ajror mes dy shteteve.



Karakaçi vlerësoi rëndësinë e linjës për komunitetin shqiptar në Kanada, por edhe për zhvillimin e turizmit, investimeve dhe shkëmbimeve ekonomike. Ai nënvizoi gjithashtu rritjen e ndjeshme të sektorit të aviacionit në Shqipëri, ku numri i pasagjerëve është trefishuar krahasuar me periudhën para pandemisë. Më tej, ministri e cilësoi këtë zhvillim si një kapitull të ri në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kanadasë.

Fjala e Ministrit të Energjisë  dhe Infrastrukturës, Enea Karakaçi: 

I nderuar zoti Kryeministër,

E nderuar ambasadore,

Të nderuar përfaqësues të Air Transat,

Të nderuar pjesëmarrës,

Jemi mbledhur sot në këtë ceremoni jo thjesht për mbërritjen e një avioni në fakt, por për hapjen e një mundësie të re për Shqipërinë.

Për herë të parë në historinë e aviacionit civil shqiptar, një fluturim direkt lidh Kanadanë me Shqipërinë. Duke krijuar një urë të re mes dy vendeve tona, mes njerëzve tanë, familjeve, bizneseve dhe kulturave tona.

Kjo arritje nuk është rezultat i rastësisë. Ajo është produkt i një bashkëpunimi shumë të ngushtë ndërmjet institucioneve shqiptare dhe kanadeze, i një pune intensive diplomatike dhe teknike, si dhe i besimit që industria ndërkombëtare e aviacionit ka tek Shqipëria.

Vetëm pak muaj më parë, kur u shfaq interesi i Air Transat për të operuar fluturime direkte në Shqipëri, ne kuptuam menjëherë rëndësinë strategjike të kësaj mundësie. Për këtë arsye, institucionet tona u angazhuan me prioritet për të negociuar dhe finalizuar Marrëveshjen përkatëse të Transportit Ajror mes dy shteteve.

Gjej rastin që të falënderoj Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Autoritetin e Aviacionit Civil, partnerët tanë kanadezë dhe të gjithë ekspertët që punuan me përkushtim për të bërë të mundur këtë arritje.

Sot kemi dëshmuar se kur ekziston vullneti dhe bashkëpunimi, pengesat burokratike mund të tejkalohen dhe interesat qytetare mund të vendosen në plan të parë.

Kjo linjë ka një rëndësi të veçantë për mijëra shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Kanada. Ata janë ambasadorët më të mirë të vendit tonë, një komunitet i integruar dhe i respektuar, që ka ruajtur lidhjet e forta me Shqipërinë. Dhe në fakt edhe ditën e sotme, ne pamë që në avionin e zbritur pjesa më e madhe ishin shqiptarë që tregon lidhjen e pashmangshme me shtetin e tyre.

Por ndikimi i kësaj linje shkon përtej diasporës. Ajo hap një treg të ri për turizmin shqiptar, sjell vizitorë nga një prej vendeve më të zhvilluara të botës dhe krijon mundësi të reja për biznesin, investimet dhe shkëmbimet ekonomike.

Ky zhvillim është gjithashtu një tregues i transformimit të jashtëzakonshëm që ka përjetuar aviacioni shqiptar gjatë viteve të fundit.

Vetëm pak vite më parë Shqipëria konsiderohej një treg periferik. Numri i pasagjerëve tashmë në ditët e sotme është trefishuar krahasuar me periudhën para pandemisë, lidhjet ajrore janë zgjeruar ndjeshëm dhe Shqipëria po bëhet gjithnjë e më shumë e aksesueshme për qytetarët dhe vizitorët nga e gjithë bota.

Kjo rritje nuk do të kishte kuptim pa sigurinë në aeroport. Prandaj kemi investuar paralelisht në forcimin e mbikëqyrjes së aviacionit civil, në përmirësimin e standardeve dhe në harmonizimin me kërkesat evropiane dhe ndërkombëtare.

Ndërsa shohim drejt së ardhmes, vizioni ynë është i qartë, më shumë lidhje, më shumë mundësi dhe një aviacion që mbështet zhvillimin ekonomik dhe social të vendit.

Linja Toronto –Tiranë është vetëm fillimi.

Ne do të vazhdojmë të punojmë me partnerët tanë ndërkombëtarë për të zgjeruar rrjetin e destinacioneve, për të rritur kapacitetet infrastrukturore dhe për të siguruar që Shqipëria të mbetet një histori suksesi në aviacionin evropian.

Sot festojmë një arritje të përbashkët dhe si e tillë, Mirë se erdhët në Shqipëri. Mirë se erdhët në Tiranë. Dhe mirë se erdhi një kapitull i ri në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kanadasë.

Faleminderit!

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!