Siç shkruan me të drejtë BBC, asnjë skenë nuk duket tepër e madhe për të. Erling Haland shkëlqen në thuajse çdo debutim, dhe këtë e bëri edhe në ndeshjen e tij të parë në Kupën e Botës.
Sulmuesi i shquar ia doli në moshën 25-vjeçare, dhe kjo jo për faj të tij, por sepse skuadra e tij kombëtare është Norvegjia, jo një nga klientët e përhershëm të fazave finale.
Haland realizoi dy gola ndaj Irakut në sfidën e grupit I, aty ku ndodhet edhe Franca, dhe skuadra skandinave u duk në formë shumë të mirë.
E dërgoi topin në rrjetë në minutat 29 e 43, duke i dhënë dy herë avantazhin të vetëve, 1-0 e 2-1.
Gjigandi arriti tregolësh në debutimin në Champions me Salcburgun, sërish tregolësh në debutimin në Bundesligë me Borusian e Dortmundit, dy gola në debutimin në Premier Ligën angleze me Mançester Sitin dhe tani dy rrjeta në debutimin në Botëror.
Jo më kot ky “kanibal” i golit ka 57 rrjeta për kombëtaren në vetëm 51 ndeshje, që ka arritur në 162 gola për Mançester Sitin në 198 sfida, apo 86 për Dortmundin në 89 ndeshje.
Dy tundjet e tjera të rrjetës për norvegjezët erdhën nga Ëstigard në 76’ dhe Ajmen Husein në minutën e gjashtë shtesë, ndërsa Iraku barazoi vetëm përkohësisht në 39’ për 1-1.
Në të vërtetë, sfida ishte me sulme e kundërsulme, dhe irakenët goditën jo pak, por vetëm një herë në kuadrat, kurse Norvegjia e bëri plot 5 herë.



