Analisti sportiv Ledio Pano komentoi ndeshjen e djeshme mes Egjipti dhe Belgjika, duke theksuar se skuadra belge nuk është më ajo e disa viteve më parë.
Sipas Panos, vitet kanë bërë të vetën dhe edhe De Bruyne nuk shfaqi nivelin që e ka karakterizuar në të kaluarën. Ai vlerësoi se loja e Belgjikës varej në masë të madhe nga aksionet e Doku.
Sipas tij, në pjesën e parë Egjipti ishte më kërkues dhe krijoi më shumë tentativa, ndërsa në fraksionin e dytë Belgjika rriti ritmin e lojës dhe iu afrua më shumë fitores.
Pano e konsideroi barazimin një rezultat të drejtë, duke theksuar se ajo që u pa në fushë gjatë 90 minutave e justifikonte plotësisht ndarjen e pikëve mes dy skuadrave.
“Nuk ishte Belgjika e disa viteve më parë, vitet bëjnë të tyren. De Bruyne nuk ishte ai i disa viteve më parë. Çdo gjë varej nga lojtari Doku.
Ishte me dy tablo. Në pjesën e parë, Egjipti kishte më shumë tentativa, ndërkohë që në pjesën e dytë u rrit loja e Belgjikës. Belgjika e rriti ritmin dhe mund ta kishte fituar ndeshjen.
Loja e Egjiptit ra, ndoshta edhe Salah dukej pak i tërhequr, më shumë donte të fuste të tjerët në punë. Ishte rezultat i drejtë për 90 minuta.”
Analisti sportiv Ermal Tahiri vlerësoi se barazimi mes Belgjikës dhe Egjiptit nuk ishte rezultati më i drejtë bazuar në atë që u pa në fushë, veçanërisht në pjesën e dytë të ndeshjes.
Sipas Tahirit, Belgjika ishte skuadra favorite dhe pas pushimit arriti të rrisë ndjeshëm ritmin e lojës, duke krijuar raste të shumta për shënim.
Analisti theksoi se pavarësisht barazimit, Belgjika mbetet një skuadër që pritet të jetë mes ekipeve më të forta të turneut.
“Nuk është rezultat i drejtë, sepse Belgjika kishte shumë raste në pjesën e dytë dhe mund të ishte kthyer rezultati në 2 me 1. Belgjika ishte favorite dhe e rriti shumë ritmin në pjesën e dytë. Duhet të kishte fituar Belgjika, por nuk është ekip që nuk do t’i përmbahet asaj tetëshe.
Rasti i Doku, që është në super formë. Mos harrojmë që ndeshjet e para janë me ekipe ndoshta të nivelit më të ulët, por kur të nisin ndeshjet e tjera do të shohësh futboll tjetër.”



